Itali- Gjithçka po shkonte më së miri te Juventusi, kur menjëherë vjen edhe një “bombë” e vërtetë që trondit gjithë klubin bardhezi. Presidenti i bardhezinjve, Andrea Anjeli akuzohet për bashkëpunim me mafian dhe krimin e organizuar në Itali. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano”, sipas të cilës akuza është ngritur nga prokurori Xhuzepe Pekoraro, ish-prefekt i Romës. Në këtë akuzë thuhet se, për të garantuar rendin dhe qetësinë në sektorët e tifozëve ultras në stadium, Anjeli i lejonte tifozët me teserë dhe drejtuesit të mbanin marrëdhënie të vazhdueshme me elementë të krimit të organizuar. Por akuza më e rëndë ndaj kreut të klubit bardhezi është, pjesëmarrja personale në disa raste në takime me eksponentë të mafies së organizuar dhe tifozëve ultras.

Ish-prefekti Giuseppe Pecoraro, aktualisht prokuror i Federatës Italiane të Futbollit, shkruan në dokumentin e mbylljes së hetimeve në lidhje me djalin e Umberto-s dhe drejtuesve të tjerë të përfshirë: “Me synimin e deklaruar për të mbajtur rendin publik në sektorët ku qëndrojnë tifozët e Juventus, Agnelli nuk pengonte lojtarët e Juventus, drejtuesit dhe punëtorët e tjerë të klubit të kishin kontakte të vazhdueshme dhe të zgjatura me të ashtuquajturit “grupime ultras”, ku përfshihen edhe persona të lidhur me krimin e organizuar. Presidenti i shpërndan gratis bileta dhe abonime dhe këta persona i shesin në tregun e zi, duke u pasuruar. Kjo garanton sigurinë në stadium, por siguria merret me masa të tjera dhe jo duke favorizuar në mënyrë direkte pasurimin e grupeve kriminale.”

Ndërsa akuza e drejtpërdrejtë ndaj Agnelli ishte: “Ka marrë pjesë personalisht në disa raste në takime me përfaqësues të krimit të organizuar dhe tifozë “ultras”.” Pikërisht kjo fjali është ajo që komprometon më shumë presidentin e Juventus dhe është firmosur nga prokurori Pecararo, i cili ka nisur mbledhjen e provave dhe dëshmive që nga muaji tetor. Juventus është përgjigjur me takt dhe ka lënë të kuptohet se personi i informuar për situatën është Beppe Marotta, i cili në periudhën e fundit nuk është më mes të preferuarve. Provat e Pecoraro dhe kolegëve të tij janë të lidhura edhe me dëshmitë e Rocco Dominello, një i penduar i mafias italiane. Gjatë hetimeve të koduara “Alto Piemonte” nuk kishte pasur takime mes mafiozëve dhe drejtuesve të Juventus, por një përgjim telefonik ka ngjallur shumë dyshime. Në këtë mënyrë, nga korriku në gusht, hetimet u bënë më intensive dhe përfundimi i tyre mund të sjellë probleme penale për Juventus. Asnjë drejtues bardhezi nuk është i hetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nga ana tjetër klubi i Juventus dyshohet për bashkëpunim dhe jo si pjesë e santazhuar nga grupet kriminale. Tashmë pritet të dijmë a rrezikon Juventus dënimin nëse Prokuroria e Italisë shpall fajtor presidentin Andrea Agnelli për financim të organizatave kriminale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb