ROME – Në Romë policia ka nisur një aksion të koduar “mafia kryeqytetase”, e cila lidhet me hetimet e keqbërësve përreth Koloseut. Por mes përgjimeve të shumta, të cilat po kontrollon policia, del edhe emri i Daniele De Rosit. Në dokumentacionin e repartit “Ros” është përgjuar një telefonatë, e cila daton më 30 shtator 2013, mes futbollistit të Romës dhe Xhovani De Karlos, i arrestuari i fundit nga Prokuroria e Romës, në lidhje me këtë çështje.

Nga informatat në lidhje me këtë telefonatë, De Rosi ka kontaktuar De Karlon, të cilin me sa duket e njihte, pas një sherri verbal që ka pasur në një lokal, në një mbrëmje që shoqërohej edhe nga ish-shoku i tij, Mehdi Benatia, tashmë pjesë e Bajernit të Mynihut. “Unë mendova se ai do kishte sjellë ndonjë të fortë…, – thotë De Rosi në telefonatë, duke iu referuar me siguri personit me të cilin ishte grindur. – Por sapo i bëra emrin tënd, ia mbathi”.

Kjo telefonatë është e orës 02:56 të mëngjesit, në të cilën De Rosi e pa që De Karlo t’i përgjigjej vetëm në tentativën e dytë. Gjatë bisedës, De Karlo është në dispozicion të mikut të tij futbollist, duke treguar konfidencë të madhe mes tyre. “Danie, bëre mirë që më telefonove miku im. Gjithsesi, ti e di që mund të më telefonosh kur të duash”. Një lajm i tillë ka krijuar jo pak tronditje në klub, përpara sfidës me Sasuolon, aq sa Roma ka reaguar nëpërmjet faqes së saj, duke lutur median që të mos e përhapë kaosin mbi lojtarin apo klubin, mbi spekulime dhe lidhje të mundshme me mafiozët. Mes përgjimeve, nuk mungojnë VIP të tjerë, si: Xhixhi D’Alesio, Belen Rodrigez, e deri tek të dashurat e Matia Destros e Blerim Xhemailit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: