Max Allegeri i bëri “bisht” pyetjes mbi të ardhmen e tij, la gjithçka pezull, fundja në futboll asgjë nuk është e sigurt, këtë e di më së miri Allegri. Titulli kampion, apo çdo trofe tjetër në futbollin italian, nuk përmbush dot egon e “Zonjës së Vjetër”, aq më tepër pas një merkato shumë të kushtueshme.
Në këto kushte i vetmi trofe që mund të mbajë akoma Allegrin në Torino është Champions League. Këtë sezon nuk mjafton as prezenca në finale e as një paraqitje pozitive, kërkohet vetëm kupa me “veshë të mëdhenj”. E përditshmja torineze “TuttoSport”, hap faqen e parë pikërisht me një shkrim që lidhet me të ardhmen e Allegrit.
Drejtuesit e klubit bardhezi nuk dëshirojnë të kapen të pa përgatitur në fund të sezonit, për këtë arsye kanë nisur që tani të vlerësojnë kandidaturat e mundshme. Emri i parë dhe më i rëndësishmi është ai i Zinedine Zidane, 3 herë fituesi i Champions League, një emër i cili do të përqafohej menjëherë nga ambienti torinez, fundja është një idhull i këtij klubi dhe një trajner që di si fitohet në Champions League.
Emri tjetër po kaq i bujshëm sipas “TuttoSport” është ai i Jurgen Klopp. Gjermani ndihet “mbret” tek Liverpool por një ofertë nga “Zonja” asnjë herë nuk hidhet poshtë, aq më tepër që në dispozicion kanë një yll si C.Ronaldo.
(BalkanWeb)