Ofertat e frikshme që vërshuan nga kampionati kinez këtë merkato dimri tronditët futbollin pasi mjaft lojtarë me emër të ndikuar nga pagat e larta, zgjodhën t’a vazhdojnë karrierën e tyre në lindjen e largët.

Në total, Superliga Kineze, këtë sesion merkatoje shpenzoi 376 mln euro për 173 lëvizje lojtarësh. Një shifër rekord kjo që thyen atë të vendosur një sezon më parë, 344 mln euro.

Ndër transferimet më të shtrenjta dhe më të bujshme ishin: Oscar (60 milionë euro), Witsel (20), Pato (18), Ighalo (23), Ideye (12), Tevez (10.5) dhe Jonathan Soriano (10).

Ky sezon, në fakt, do të jetë i fundit i lirë për klubet në merkato. Masat e qeverisë kineze do të kufizojnë shpenzimet e tepërta për lojtarë të huaj dhe do ta energjizojnë forcimin e lojtarëve vendas. Kështu, kuota e lojtarëve të huaj do të bëhet nga katër, plus një aziatik, në tre në total, duke përfshirë edhe Azinë.

Hebei Fortune (77 milionë euro), Tianjin Quanjian (72 milionë euro) dhe Shanghai SIPG (67 milionë euro) janë klubet që kanë shpenzuar më shumë në këtë afat kalimtar.

Kampionia dominuese absolute e Kinës në futboll, Guangzhou Evergrande, ka investuar vetëm 9.6 milionë euro. Pavarësisht nga këto investime të mëdha, rezultatet e ekipeve kineze në arenën ndërkombëtare nuk janë ende shumë të dukshme. Pra, jo çdo gjë është e lidhur dhe varet nga paratë në futboll. Kina është shembulli më i mire në këtë drejtim.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb