Pas deklaratave për gazetarët se nuk do të komentonte për shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian, Presidenti Donald Trump bëri të kundërtën të enjten.

Duke u shfaqur bashkë me kryeministrin irlandez Leo Varadkar në Zyrën Ovale, PresidentiTrump deklaroi se Brexit “në të vërtetë i ka futur në dilemë shumë vende” trasnmeton VOA. Presidenti tha gjithashtu se ishte “i befasuar se sa keq kanë shkuar punët në pikëpamje të bisedimeve”.

Ai tha se e kishte këshilluar kryeministren britanike Theresa May se si të negocionte shkëputjen e vendit nga BE-ja, por ajo “nuk e kishte dëgjuar”. I pyetur nga një gazetar nëse ai beson se në Britani duhet të mbahet një referendum i dytë publik mbi çështjen Brexit, Presidenti Trump u përgjigj se ai nuk mendon se kjo do të ishte e mundur dhe se do të ishte “e padrejtë për njerëzit që fituan”.

Në vitin 2016, britanikët që dëshironin të qëndronin në BE u mposhtën me rezultat të ngushtë nga ata që zgjodhën shkëputjen nga blloku politiko-ekonomik prej 28 anëtarësh. Çështja e kufirit të Mbretërisë së Bashkuar me Republikën e Irlandës është një nga nyjet më komplekse të Brexit-it, vuri në dukje zoti Trump.

“Do të doja që kjo situatë të zgjidhej,” shtoi ai. Pas Brexit-it, “ne mund të bëjmë një marrëveshje shumë të madhe tregtare me Britaninë”, tha Presidenti Trump. Ai paralajmëroi gjithashtu për tarifa që do t’i viheshin Bashkimit Evropian, nëse bisedimet tregtare të BE-së me Shtetet e Bashkuara dështojnë.

“Nëse nuk bisedojnë me ne, atëherë ne do të bëjmë diçka që është shumë e rëndë ekonomikisht,” tha Presidenti Trump. Gjatë takimit tradicional me rastin e Ditës së Shën Patrikut midis udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Irlandës, Presidenti Trump iu drejtua zotit Varadkar, që ai të fliste për çështjen Brexit.

“Ne kemi një mendim të ndryshëm, president,” tha kryeministri irlandez. “Më vjen keq për Brexit-in, sepse Britania ishte një pjesë shumë e rëndësishme e Bashkimit Evropian”. Preokupimi kryesor për Irlandën, tha zoti Varadkar, është që Brexit të mos shkaktojë ndonjë problem në Irlandën e Veriut, e cila votoi për të qëndruar në BE.

“Ne nuk duhet të kemi një kufi të vështirë apo diçka që prish procesin e paqes”, tha Kryeministri irlandez. “Mendoj se do të duhen disa vjet derisa Mbretëria e Bashkuar ta zgjidhë këtë problem,” parashikoi zoti Varadkar.

Ndërhyrja e zotit Trump në çështjen Brexit është shumë e mirëpritur, sipas analistit pro-Brexit Niles Gardiner, i cili ka punuar për ish kryeministren britanike Margaret Thatcher pas largimit të saj nga posti.

“Komentet e sotme nuk duhet të shihen si diçka e papritur, pasi Presidenti Trump ka qenë shumë i qartë prej vitesh për çështjen Brexit. Ai ka theksuar vazhdimisht shkëputjen si parakusht për një marrëveshje të re të tregtisë së lirë SHBA-Britani, madje zyrtarët e administratës dhe anëtarët e Kongresit amerikan kanë punuar me zell për t’u përgatitur për një marrëveshje të tillë,” tha për Zërin e Amerikës zoti Gardiner, drejtor i Qendrës Margaret Thatcher për Lirinë në Fondacionin Heritage.

“Në Uashington, tha ai, ka shumë shpresë se një marrëveshje tregtare SHBA-Britani mund të arrihet deri në fund të vitit 2019 nëse Brexit përparon përpara këtë muaj dhe Britania largohet me sukses nga Bashkimi Evropian”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: