Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, ka analizuar qëndrimin e Donald Trump mbi fundin e luftës në Ukrainë, duke theksuar se presidenti amerikan Trump e sheh konfliktin përmes një qasjeje realiste të fuqisë shtetërore.

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, Bimo tha se presidenti Trump tashmë e pranon faktin se lufta është e humbur për Ukrainën dhe se Rusia ka vendosur kontroll mbi territore të caktuara, edhe pse nuk e shpreh hapur këtë qëndrim.

“Problemi me të cilin përballet Trump është se si do të akomodojë pushtimin e territoreve ukrainase nga Rusia. Një nga opsionet e propozuara nga i dërguari i tij për këtë çështje është të mos njihet zyrtarisht aneksimi i këtyre zonave, por çështja të shtyhet për një të ardhme të afërt,” tha Bimo.

Ai shtoi se një skenar i mundshëm mund të jetë ndarja e Ukrainës sipas modelit të Koresë, ku dallimet mes një vendi të zhvilluar dhe një territori të mbetur nën ndikimin rus do të shërbenin si një mesazh për të ardhmen. “Kjo mund të jetë pasqyra më e mirë për t’iu kundërvënë agresionit rus,” përfundoi Bimo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb