Qeveria afrikanojugore deklaroi sot se ishte e tronditur nga një mesazh i postuar një ditë më parë në Twitter nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe duke theksuar se ishte e shqetësuar për “zaptimin e tokave dhe të fermave” në Afrikën e Jugut.

Autoritetet jugafrikane po mbrojnë një qasje “të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse” në lidhje me një projekt shumë të debatuar për reformen agrare.

Presidenti amerikan njoftoi dje, në një nga mesazhet e tij të përditshme në Twitter, se kishte ngarkuar sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo të merrej me çështjen e tokës dhe të vrasjeve të fermerëve të bardhë në Afrikën e Jugut.

“I kam kërkuar sekretarit të Shtetit të ndjekë nga afër çështjet lidhur me zënien e tokave, të fermave, të shpronësimeve dhe vrasjeve të shumta të fermerëve të bardhë në Afrikën e Jugut”, njoftoi presidenti Trump.

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2019, presidenti afrikano-jugor Cyril Ramaphosa premtoi se do të përshpejtonte reformën agrare për të rregulluar një padrejtësi të madhe historike ndaj shumicës të popullsisë me ngjyrë gjatë periudhës koloniale dhe aparteidit në vend, që mori fund zyrtarisht në vitin 1994.

“Afrika e Jugut hedh poshtë këtë vizion të ngushtë që synon të përçajë kombin dhe të na kujtojë të kaluarën tonë koloniale”, nënvizoi qeveria jugafrikane në një postim në Twitter, si reagim ndaj mesazhit të Trump, raporton atsh.

Aktualisht, popullsia e bardhë, që përbën 8% të popullsisë në Afrikën e Jugut, zotëron 72% të tokës, ndërsa popullsia me ngjyrë, që zë 80%, zotëron vetëm 4% të saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb