Presidenti Donald Trump shprehu optimizëm se negociatorët amerikanë mund të sigurojnë një armëpushim në luftën në Ukrainë, edhe pse Kievi dhe Moska nisën sulme të reja ajrore herët të enjten.

Shtetet e Bashkuara duan që Rusia të bier dakord për një ndalim të pakushtëzuar të armiqësive, thanë zyrtarët të mërkurën. “Njerëzit tanë po shkojnë në Rusi tani kur flasim. Dhe shpresojmë se mund të marrim një armëpushim nga Rusia,” u tha Trump gazetarëve gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kryeministrin e Irlandës Micheal Martin.

Trump të mërkurën nuk përmendi nëse do të fliste me Putinin, por shtoi se kishte pasur “mesazhe pozitive” nga Moska, duke thënë: “Shpresoj se ai do të ketë një armëpushim”. “Nëse përgjigja është “po”, atëherë ne e dimë se kemi bërë përparim të vërtetë dhe ka një shans real për paqe. Nëse përgjigja e tyre është “jo”, do të ishte shumë për të ardhur keq dhe do t’i bëjë të qarta qëllimet e tyre,” shtoi ai.

Rubio do të jepte një përditësim mbi iniciativën në takimin e G7 në Charlevoix, Kanada.

Ndërkohë, agjencitë ruse të lajmeve raportuan më herët se krerët e CIA-s dhe agjencisë ruse të inteligjencës së jashtme SVR kishin kishin komunikuar me telefon për herë të parë pas disa vitesh.

Kremlini tha se ishte në pritje të detajeve të një propozimi SHBA-Ukrainë të rënë dakord këtë javë dhe nuk dha asnjë tregues për gatishmërinë e tij për të ndaluar luftimet. Rusia gjithashtu ka rimarrë territorin në rajonin e saj perëndimor të Kurskut, duke zmbrapsur trupat ukrainase që organizuan një ofensivë shokuese gushtin e kaluar.

Presidenti Vladimir Putin vizitoi dje trupat ruse të cilat kanë arritur fitore kundër forcave ukrainase që luftojnë për të mbajtur territorin rus të pushtuar në Kursk.

Ai u shfaq në televizionin rus teksa vizitonte trupat në Kursk të mërkurën.

“Unë po mbështetem në faktin se të gjitha detyrat luftarake me të cilat përballen njësitë tona do të përmbushen dhe territori i rajonit të Kurskut së shpejti do të çlirohet plotësisht nga armiku”, tha Putin.

Shefi i shtabit rus, gjenerali Valery Gerasimov tha se 430 trupa ukrainase ishin kapur dhe Putin i quajti ata “terroristë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb