SHBA- Presidenti i SHBA Donald Trump ka bërë një paralajmërim të fortë për të gjithë partnerët tregtarë që bëjnë biznes me Iranin, pas ri-vendosjes së sanksioneve ndaj këtij shteti. “Kushdo që bën biznes me Iranin nuk do të bëjë me Shtetet e Bashkuara”, -shkroi presidenti Trump në Twitter. Sanksionet kanë në shënjestër sektorë të ndryshëm me masa të tjera ndëshkuese të planifikuara edhe mbi industrinë e naftës të vendit. Presidenti Trump nënshkroi dje urdhrin ekzekutiv që riktheu sanksionet menjëherë pas mesnate, ndërsa një seri e dytë sanksionesh do të hyjnë në fuqi më 5 nëntor.

Ndërkohë, presidenti iranian Hassan Rouhani tha se masat ishin “luftë psikologjike”, që synonin të “mbjellin ndarjen midis iranianëve”, shkruan BBC. Bashkimi Evropian ka folur gjithashtu kundër sanksioneve, ndërsa u zotua që të mbrojë firmat që bëjnë “biznes të ligjshëm”.

Vendosja e sanksioneve pason tërheqjen e SHBA nga marrëveshja bërthamore e nënshkruar më parë. Marrëveshja e negociuar gjatë presidencës së Barack Obamës, parashikonte që Irani të kufizonte aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Pavarësisht sanksioneve të SHBA-ve, Britania është distancuar nga ky veprim, ndërsa theksoi se do t’i përmbahet marrëveshjen bërthamore. “Ne nuk do të ndjekim SHBA për sanksionet”, ka sqaruar Alistair Burt, zëvendësministër i Jashtëm, në të njëjtën kohë edhe përgjegjës për çështjen që lidhet me Lindjen e Mesme. “Siç kemi shpjeguar tashmë – shtoi ai – ne e konsiderojmë marrëveshjen bërthamore një pjesë të rëndësishme jo vetëm të sigurisë në rajon, por në botë”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: