Presidenti Donald Trump pati të mërkurën një përplasje tjetër me korrespondentin e rrjetit CNN Jim Acosta, të cilin e quajti “njeri i vrazhdë” kur gazetari u përpoq t’i bënte atij një pyetje.

Gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë mbi rezultatet e zgjedhjeve të 6 nëntorit, Jim Acosta e pyeti presidentin rreth karvanit të emigrantëve nga Amerika Qendrore që duan të kërkojnë azil në SHBA.

Presidenti Trump e ndërpreu menjëherë gazetarin. Kur presidenti u përpoq t’i jepte fjalën një gazetari tjetër, Acosta refuzoi të lëshonte mikrofonin dhe e pyeti zotin Trump për ngritjen e mundshme të akuzave kundër Presidentit nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.

Zoti Trump i tha gazetarit të “lëshonte mikrofonin”, por korrespondenti i CNN-it refuzoi.
Më në fund gazetari hoqi dorë nga mikrofoni dhe u ul, por Presidenti filloi ta qortonte atë nga podiumi.

“CNN duhet të ketë turp për faktin që ju punoni për të. Jeni njeri i vrazhdë, i tmerrshëm. Ju nuk duhet të punoni për CNN”, tha zoti Trump.

Presidenti më pas i kërkoi një gazetari tjetër të bënte pyetje, korrespondentit të rrjetit NBC News, Peter Alexander, i cili i doli në mbrotje Acostës.

“Ai është një gazetar i zellshëm që punon shumë si të gjithë ne”, tha Alexander. “Atëherë po ju them se nuk jam as tifoz i madh i juaji”, tha zoti Trump., raporton VOA.

Më pas, gazetari Acosta u ngrit dhe filloi t’i fliste presidentit pa mikrofon. Presidenti u përgjigj: “kur ju raportoni lajme të rreme, gjë që CNN-i e bën shumë, ju jeni armiku i popullit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb