Presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA nuk do të presë më samitin e G7-tës vitin e ardhshëm në hotelin e tij Doral në Miami pas reagimeve nga demokratët dhe opinioni.

“Mendova se po bëja diçka shumë të mirë për vendin tonë, duke shfrytëzuar Trump National Doral, në Miami, për pritjen e udhëheqësve të G7-tës”, tha Trump në Twitter, duke lavdëruar madhësinë e kompleksit dhe afërsinë e tij me Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit.

Të enjten, Shtëpia e Bardhë njoftoi se samiti në qërshor do të mbahet në Trump National Doral, kurse Trump u kritikua menjëherë për përzierjen e biznesit të tij personal dhe çështjeve zyrtare. Vendimi u shikua si një përpjekje e presidentit për të ndikuar në qeveritë e huaja në emër të tij.

Përfaqësuesi demokrat, Jerry Nadler, kryetar i Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se ai do të hetojë shembullin “më të pacipë” se si Trump shkel klauzolën e kushtetutës së vendit, e cila ndalon zyrtarët e shtetit amerikan të nxjerrin përfitime të caktuara ekonomike.

Qendra e Përgjegjësisë së Kushtetutës, një grup mbikëqyrës i etikës, akuzoi Trumpin për “tallje me Kushtetutën” duke e trajtuar samitin si një reklamë për bizneset e tij.

“Unë njoftova se do të isha i gatshëm ta bëja atë pa asnjë përfitim ose, po të ishte e lejuar me ligj, me ‘zero shpenzime’ për SHBA-në. Por, si zakonisht, mediat armiqësore dhe partnerët e tyre demokratë u çmendën”, tha Trump.

“Do të fillojmë kërkimin e ndonjë vendi tjetër, përfshirë mundësinë për Kampin David”, shtoi presidenti amerikan.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb