Presidenti i SHBA Donald Trump , i cili po kërkon të kontrollojë shpërndarjen e ndihmës federale për fatkeqësitë, ka thënë se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të riparuar FEMA, agjencia federale që merret me uraganet, zjarret dhe fatkeqësitë e tjera natyrore.
Megjithatë, ai la të hapur mundësinë edhe për ta shfuqizuar.
“Unë do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për të filluar reformimin rrënjësor të FEMA-s, ose ndoshta edhe për ta shfuqizuar atë,” tha presidenti republikan gjatë një vizite në Karolinën e Veriut për të parë nga afër shkatërrimin e shkaktuar në shtet nga uragani Helen vjeshtën e kaluar.
“Sinqerisht, mendoj se nuk është një shërbim i mirë”, shtoi ai.
Ai pretendoi se ishte një shërbim “i kushtueshëm, i ngadalshëm, burokratik”, i cili doli të ishte një “katastrofë”, tha ai.
Trump gjithashtu u shpjegoi gazetarëve që e shoqëronin se “ne duhet të shikojmë sërish të gjithë logjikën e FEMA-s, ndërsa shtoi se guvernatorët e Shteteve duhet të përdorin fuqitë e tyre.
“Pavarësisht nëse jeni demokrat apo republikan, ju dëshironi të përdorni shtetin tuaj në vend që të humbni kohë duke thirrur FEMA. Ata vijnë këtu dhe nuk e njohin zonën dhe ju japin rregulla që nuk i keni dëgjuar”, shtoi ai.