Gjatë një paraqitjeje në një kanal të mediave sociale për ta promovuar një sipërmarrje të re të kriptomonedhave, ish-presidenti amerikan Donald Trump tha fjalë të mira për deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden për atentatin e dytë ndaj kandidatit republikan për president, shkruan The Guardian.
“Ai ishte shumë i mirë sot, më telefonoi për t’u siguruar që isha mirë, për t’u siguruar dhe pyetur a kam ndonjë sugjerim”, tha Trump. “Ai nuk mund të ishte më i sjellshëm”.
Këto fjalë janë në kontrast të dukshëm me çfarë kishte thënë ai më herët në Fox News Digital, ku e kishte përshkruar Bidenin dhe kundërshtaren, zëvendëspresidenten Kamala Harris si “armiku i brendshëm”.
“Retorika e tyre po bën që të më qëllojnë, kur unë jam ai që do ta shpëtoj vendin dhe janë ata që po e shkatërrojnë vendin – nga brenda dhe nga jashtë. Këta janë njerëz që duan ta shkatërrojnë vendin tonë. Ky quhet armik i brendshëm. Ata janë kërcënimi i vërtetë”, kishte deklaruar Trump.
Hetuesit amerikanë po kontrollojnë llogaritë e mediave sociale dhe postimet e personit të dyshuar për përfshirje në atentatin e fundit ndaj ish-presidentit Donald Trump, në përpjekje për gjetur motivin dhe nëse dikush tjetër mund të jetë përfshirë në incidentin e së dielës.
Policia në Florida e arrestoi 58-vjeçarin Ryan Wesley Routh në një autostradë kryesore të dielën vonë, pasi ai u largua me shpejtësi me makinën e tij nga klubi i golfit të ish-presidentit Trump në West Palm Beach të Floridës.
Zyrtarët thanë se të dhënat e mbledhura nga celulari i të dyshuarit Ryan Routh tregojnë se ai ishte në pritë për 12 orë, duke u fshehur në disa shkurre përgjatë një gardhi rrethues të fushës së golfit.
Ndaj të dyshuarit Ryan Routh janë ngritur akuza për posedim të paligjshëm arme dhe fshirje të numrit të identifikimit të armës. Ai nuk kishte të drejtë të mbante armë për shkak të një dënimit të mëparshëm penal. Në Shtetet e Bashkuara, personat me të kaluar kriminale nuk lejohen të blejnë, apo posedojnë armë. Zyrtarët thanë se kur hetuesit e FBI-së u përpoqën të flisnin me të dyshuarin Routh pas arrestimit, ai nuk pranoi të përgjigjej pa praninë e avokatit.
Në mungesë të gadishmërisë së tij për të folur, FBI-ja i ka kërkuar gjykatës leje për të kontrolluar kameran “GoPro”, që iu gjet të pandehurit, si dhe pajisje të tjera elektronike që ai mund t’i ketë lënë në vendngjarje, si dhe automjetin dhe pajisjet elektronike të lëna në adresat e mëparshme të shtëpive të tij.
“I dyshuari kishte një prani aktive në internet dhe ne jemi duke kontrolluar ato që ai postoi dhe historinë e kërkimeve të tij në internet”, tha agjenti i FBI-së, Jeffrey Veltri.
“FBI-ja u ka dërguar kërkesa të shumta kompanive për të dhënat në telefonat e të dyshuarit dhe llogaritë e mediave sociale”, shtoi agjenti Veltri, gjatë konferencës për shtypin të hënën vonë. “Ne morëm disa të dhëna dhe jemi në pritje të përgjigjeve të kërkesave tona të tjera.”
Agjenti i FBI-së Jeffrey Veltri tha se zyrat në terren të FBI-së në Honolulu të Havait dhe Sharlotë të Karolinës së Veriut, kanë dërguar agjentë për të intervistuar anëtarë të familjes, miq dhe ish-kolegë të të dyshuarit.
Zoti Veltri tha se hetuesit po shikojnë gjithashtu nga afër deklaratat e tjera që i dyshuari ka bërë gjatë viteve, duke përfshirë intervistat që ai ka dhënë për mediat në lidhje me përpjekjet për të rekrutuar ushtarë afganë dhe të tjerë për të luftuar në Ukrainë.