Presidenti amerikan Donald Trump pohoi se e anuloi vizitën e planifikuar në Danimarkë, sepse kryeministrja daneze bëri një koment “të pahijshëm” si reagim ndaj sugjerimit të tij që danezët t’ia shesin Groenlandën Shteteve të Bashkuara.

“Mendova se nuk ishte një deklaratë e hijshme, mënyra se si ajo më refuzoi. Ajo refuzoi Shtetet e Bashkuara,” u tha Presidenti Trump gazetarëve të mërkurën. “Ajo e quajti ‘absurde’ dhe kjo nuk është fjala që duhej përdorur.”

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha të mërkurën se ndjeu keqardhje dhe u befasua që Presidenti i SHBA Donald Trump anuloi papritmas vizitën e tij të planifikuar në Danimarkë kur ajo kundërshtoi sugjerimin e tij për të blerë Groenlandën, territorin arktik që është pjesë e mbretërisë daneze.

“Mezi prisja vizitën, përgatitjet tona ishin në zhvillim e sipër,” u tha ajo gazetarëve në Kopenhagë. “Ishte një mundësi, mendoj, për t’iu gëzuar marrëdhënies së ngushtë të Danimarkës me SHBA, e cila mbetet një nga aleatët më të afërt të Danimarkës. Mezi prisja të zhvilloja një dialog për interesat e shumta të përbashkëta që Danimarka ka me SHBA.”

Por Presidenti Trump e anuloi vizitën e 2-3 shtatorit të martën vonë, ndërsa shtoi se, “Danimarka është një vend shumë i veçantë me njerëz të mrekullueshëm”. Megjithatë ai deklaroi se meqenëse zonja Frederiksen tha se “nuk ishte e interesuar të diskutonte për blerjen e Groenlandës, unë do ta shtyj takimin tonë të planifikuar për një herë tjetër”.

Ai gjithashtu falënderoi zonjën Frederiksen që kurseu “një shpenzim dhe përpjekje të mëdha për Shtetet e Bashkuara dhe Danimarkën” duke shprehur publikisht përpara vizitës pikëpamjet e saj që kundërshtonin çdo shitje të mundshme të Grenlandës.

Kryeministrja Frederiksen tha se kundërshtimi i shprehur ndaj Presidentit Trump për Groenlandën “nuk ndryshon karakterin e marrëdhënieve tona të mira, dhe natyrisht që ne në Danimarkë do të vazhdojmë dialogun tonë me SHBA se si mund ta zhvillojmë bashkëpunimin tonë dhe të përballojmë sfidat e shumta të përbashkëta që kemi përpara.”

Ajo tha se diskutimet SHBA-Danimarkë për sigurinë dhe zhvillimin e burimeve në Arktik janë në krye të axhendës.

“Zona e Arktikut është më e rëndësishme se kurrë,” tha ajo. “Dhe sigurisht, kjo është kryesisht një çështje sigurie. Nëse shikoni historinë danezo-amerikane, çështja e sigurisë sonë të përbashkët është në krye të axhendës.”

Disa figura politike daneze e kritikuan anulimin e vizitës së Presidentit Trump, duke e quajtur një sjellje të padenjë.

“Është një fyerje nga një mik dhe aleat i ngushtë”, tha ligjvënësi danez Michael Aastrup Jensen, duke shtuar se zotit Trump “i mungojnë madje shprehitë diplomatike bazë.”

Ish-ministri danez i biznesit, Rasmus Jarlov, tha në Twitter: “Pa asnjë arsye, Presidenti Trump mendon se një pjesë (autonome) e vendit tonë është për shitje. Pastaj, në mënyrë fyese, anulon një vizitë për të cilën të gjithë po përgatiteshin. Ju lutem, tregoni më shumë respekt.”

Politikanja e krahut të majtë Pernille Skipper shkruante në Twitter: “Trump jeton në një planet tjetër. I vetë-mjaftueshëm dhe mosrespektues”.

Presidenti Trump kohët e fundit hodhi idenë e blerjes së Groenlandës, pjesë autonome e Danimarkës, por zyrtarët në Danimarkë dhe Groenlandë u përgjigjën menjëherë se ishulli nuk ishte për shitje. Shumëkush në fillim mendoi se sugjerimi i zotit Trump ishte një shaka, por më në fund u kuptua se nuk ishte ashtu.

“Groenlanda nuk është në shitje. Groenlanda nuk është daneze. Groenlanda i përket Groenlandës. Unë shpresoj shumë që kjo (ide) nuk do të merret seriozisht,” i tha zonja Frederiksen gazetës Sermitsiaq gjatë një vizite në Groenlandë.

Kryeministrja daneze tha se ndërsa ajo i konsideron Shtetet e Bashkuara si aleatin më të afërt strategjik të vendit të saj, “për fat të mirë, koha kur mund të blesh dhe të shesësh vende dhe popullsi të tjera ka marrë fund”.

Presidenti Trump ishte ftuar në Danimarkë për një vizitë shtetërore, por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Judd Deere konfirmoi të martën vonë se udhëtimi ishte anuluar./voa

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb