Ministrja e Sporteve, Besa Shahini, ka mbledhur ditën e sotme në një tryezë të përbashkët, përfaqësues të disa federatave sportive, për të diskutuar ashpërsimin e dënimeve në Kodin Penal, për këdo që ushtron dhunë në ambientet sportive.

Edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga Sekretari Përgjithshëm Ilir Shulku, mori pjesë në tryezën e konsultimit “Lufta kundër dhunës në sport, me kreun e FSHF-së, që ndër të tjera kërkoi “një reformë të thellë ligjore në sport”.

Mbledhja e sotme kishte të bënte vetëm në lidhje me Kodin Penal, ku siç deklaroi ministrja Shahini, nëse do të ketë njerëz që do hyjnë në fushë dhe do godasin pjestarë të klubeve apo zyrtarë të ndeshjes, do të dënohen nga 1-3 vjet burg. Nëse kjo do të jetë e përsëritur, dënimi do të jetë nga 1-5 vjet burg.

Në këtë mbledhje, janë marrë edhe propozime nga drejtues të federatave të tjera të pranishme, për të dalë më pas në një projekt-ligj, që pritet të votohet në parlament.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb