Bullgaria dhe Greqia vunë sot në punë një tubacion gazi, i cili do të ndihmojë në uljen e varësisë së Evropës Juglindore nga gazi rus dhe në rritjen e sigurisë së energjisë.

Tubacioni 182 km do të sigurojë lehtësim në këtë fushë për Bullgarinë, e cila ka luftuar për të siguruar furnizime me gaz me çmime të përballueshme që nga fundi i prillit, kur Gazprom i Rusisë ndërpreu dërgesat për shkak të refuzimit të Sofjes për të paguar në rubla.

Rusia ka ulur furnizimet e saj të gazit në Evropë pasi Perëndimi vendosi sanksione ndaj Moskës për pushtimin e Ukrainës, duke i lënë vendet e Bashkimit Evropian të përpiqen të sigurojnë furnizime alternative mes çmimeve në rritje.

“Ky tubacion do të sjellë ndryshimin e ‘lojës’ për Bullgarinë dhe për sigurinë energjetike të Evropës. Ai do të thotë liri, liri nga varësia nga gazi rus,” tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë një ceremonie inaugurimi në Sofje ku morën pjesë liderët e Bullgarisë, Greqisë, Azerbajxhanit, Rumanisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Si këtu në Bullgari dhe në të gjithë Evropën njerëzit po ndjejnë pasojat e luftës së Rusisë. Por falë projekteve si ky, Evropa do të ketë mjaft gaz për dimër,” tha ajo.

Tubacioni Interkonektor Greqi-Bullgari (IGB) do të transportojë 1 miliard metër kub (bcm) gaz azerbajxhanas në Bullgari.

Me një kapacitet fillestar prej 3 bcm në vit dhe plane për ta rritur më vonë këtë në 5 bcm, tubacioni mund të sigurojë gaz jo-rus për Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë dhe më tej Moldavisë dhe Ukrainës.

Ai do të transportojë gaz nga qyteti verior grek i Komotinit në Stara Zagora në Bullgari. IGB është i lidhur me një tjetër tubacion, pjesë e Korridorit Jugor të Gazit që transporton gazin azerbajxhanas në Evropë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb