Bayern Munchen do të vijojë me revolucionin jo vetëm te stafi teknik, por edhe në përbërje. Trajneri Thomas Tuchel, që vetëm një javë më parë mori drejtimin e bavarezëve, i ka kërkuar klubit që t’i sjellin në skuadër sulmuesin Mason Mount, që luan me Chelsea.

Tuchel e njeh mjaft mirë 24-vjeçarin, kur drejtonte skuadrën londineze, ndaj kërkon ta ketë sërish pranë, pasi e konsideron një element të rëndësishëm.

Kontrata e Mount skadon pas një viti dhe sulmuesi ende nuk ka një marrëveshje me Blutë londinezë, ndaj e ardhmja e tij është në dilemë. Chelsea ua ka bërë të qartë të gjithëve se kushdo që dëshiron të marrë Mason Mount duhet të paguajë 70 milionë euro.

Por nuk është vetëm Mount në listën e Bayern. Sulmuesi qendror është objektivi kryesor për sezonin e ardhshëm. Deri para pak kohësh emri më i mundshëm ishte i Harry Kane, por tashmë në skenë ka dalë Victor Osimhen.

Por për nigerianin do të ketë një ankand të fortë dhe Bayern nuk është nga ato klube që shpenzon mbi 100 milionë euro për një lojtar. I treti në listë është Kolo Muani i Eintracht Frankfurt, por Tuchel mund të ndryshojë preferencat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb