Kryetari i Parlamentit të Tunizisë, Rached Ghannouchi të enjten do të përballet me votim mosbesimi, i cili u nxit nga katër blloqet politike në vend.

Votimi do të përcaktojë pozitën e Ghannouchit në Parlament dhe rolin e tij politik në vend dhe nëse ai do të vazhdojë mandatin e tij 2020-2024.

Katër blloqet e atribuojnë pozitën e tyre asaj që ata e quajnë “vendime të marra individuale nga kryeparlamentari pa u këshilluar me Zyrën e Parlamentit (organi më i lartë i Asamblesë) dhe lëshojnë deklarata në lidhje me marrëdhëniet e jashtme të Tunizisë që bien ndesh me orientimin e diplomacisë tuniziane”.

Duhen 109 nga 217 vota për të tërhequr besimin nga Ghannouchi, i cili paraqet një sfidë për të katër blloqet.

Blloqet që njoftuan se do të votonin për të tërhequr besimin nga Ghannouchi janë: Blloku Demokratik (Lëvizja Demokratike dhe Lëvizja Popullore) (38 deputetë), Blloku Tahya Tounes (10 deputetë), Blloku i Reformës Kombëtare (16 deputetë) dhe Blloku Kombëtar (11 deputetë).

Blloku Kushtetues i Lirë i cili ka 16 deputetë, po ashtu njoftoi se do të votojë për heqjen e Ghannouchit, duke rritur votat e mundshme në 91 që ende mbetet nën shumicën e kërkuar.

Të premten, Ghannouchi tha: “Jam i sigurtë se do të jetë një moment për të rikthyer besimin tek unë si kryetar i Parlamentit”.

“Nuk kam ardhur në postin e kryeparlamentarit me tanke, por përmes zgjedhjeve”, tha Ghannouchi duke shprehur besimin e tij për të pasur shumicën.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb