Turi i fundit aziatik që zhvilloi Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani gjatë kësaj jave – ku vizitoi Korenë e Jugut, Japoninë dhe Kinën – u konsiderua i rëndësishëm dhe i suksesshëm, për shkak të numrit të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të mirëkuptimit që u nënshkruan gjatë tij, krahas rolit që luajti ky tur në promovimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare midis Katarit dhe këtyre vendeve.

Sipas vëzhguesve, vizitat e Emirit të Katarit i dhanë një hov të madh partneritetit me tre shtetet e Azisë Lindore, dhe vijnë në kuadrin e një strategjie të re të Katarit për të thelluar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe rritjen e vetëbesimit të vendit për kapërcimin e bllokadës që i është imponuar prej më shumë se një viti e gjysmë.

Marrëveshje të shumta
Gjatë vizitës së Emirit në Korenë e Jugut, u nënshkruan një sërë memorandumesh mirëkuptimi dhe marrëveshjesh ndërmjet qeverive të dy vendeve, përfshirë fushën e transportit detar dhe tokësor.
Vizita në Japoni u shoqërua me nënshkrimin e një deklaratë të përbashkët për krijimin e një mekanizmi për dialog strategjik, dhe disa memorandumeve mirëkuptimi mes të qeverive të Katarit dhe Japonisë për bashkëpunim në fusha të ndryshme, si ekonomia, tregtia, transporti dhe infrastruktura.

Ndërsa në Kinë, Emiri i Katarit dëshmoi – dje të enjten – nënshkrimin e shumë marrëveshjeve dhe memorandumeve të mirëkuptimit mes dy vendeve në disa sektorë ekonomikë, politikë dhe arsimorë, mes të cilave edhe një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e infrastrukturës.
Këto marrëveshje konsiderohen si kulmi i një partneriteti strategjik dypalësh që u nënshkrua katër vjet më parë mes Katarit dhe Kinës.

Marrëdhëniet e tanishme
Katari i ofron Koresë së Jugut 11.5 milion ton gaz natyror, duke e bërë Seulin destinacionin më të madh të eksportit të gazit katarian, ndërsa Koreja e Jugut përfaqësohet në Katar me 15 kompani që operojnë në sektorë të ndryshëm.

Kina është partneri i tretë tregtar i Katarit dhe burimi i dytë më i madh i importeve, kurse Katari është eksportuesi i dytë më i madh i gazit të lëngshëm natyror në Kinë.
Katari është dhe një nga vendet e para që kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e iniciativës kineze “Belt Road”. Ai është themelues i Bankës Aziatike për Investime në Infrastrukturë.

Gjithashtu, Katari ka arritur me sukses të zgjerojë marrëdhëniet dhe partneritetet strategjike me vende të ndryshme nëpër botë, sidomos me vende të mëdha dhe ndikim siç është Japonia, ndërkohë që turi i fundit i Emirit do të hapë tregje të reja për ekonominë dhe investimet e vendit të tij me këtë shtet.

Rezultate të rëndësishme
Vizitat e Emirit të Katarit në tre vendet e fuqishme aziatike patën rezultate të rëndësishme politike dhe ekonomike, që u reflektuan me marrëveshjet e nënshkruara me të cilat Doha kërkon të hapë shtigje të reja në rrugën e saj drejt një aksesi më të gjerë në ekonomitë globale, duke zhvilluar më shumë mundësi dhe rrugë tregtare me vende të ndryshme të botës, sidomos pas bllokadës që i është imponuar nga fqinjët e saj.

Atdhesimi i teknologjisë
Forumet e përbashkëta të biznesit të mbajtura në Tokio dhe Pekin në kuadër të turit aziatik të Emirit të Katarit, kishin si qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes të Katarit nga njëra anë, dhe Japonisë e Kinës nga ana tjetër. Në këto forume u diskutuan mundësitë e shkëmbimit të investimeve në të tre vendet, si dhe mundësinë e krijimit të projekteve të përbashkëta që i shërbejnë ekonomive e tyre, sidomos në sektorët e industrisë prodhuese, petrokimike dhe ushqimore. Por fokusi i palës katariane ishte sjellja dhe atdhesimi i teknologjisë së përparuar kineze dhe japoneze në Katar.

Rreth 14 kompani kineze kanë tashmë investime të konsiderueshme në Katar dhe kohët e fundit e kanë rritur prezencën e tyre në vend me 100%. Shumica prej tyre operojnë kryesisht në tregti dhe ndërtim. Veç kësaj në Katar janë regjistruar dhe 176 kompani të përbashkëta kineze-katariane, kapitali investues i të cilave vlerësohet me afro 400 milionë dollarë amerikanë.

Mundësi të reja
Turi i Emirit të Katarit pasqyron rëndësinë e këtyre vendeve për ekonominë e Katarit. Koreja e Jugut, Japonia dhe Kina janë importuesit më të mëdhenj të gazit natyror katarian, por me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja pritet të realizohen projekte të mëdha mes këtyre vendeve, sidomos në industri, teknologji, transport dhe infrastrukturë.

Komuniteti i biznesit në Katar është i bindur se ekonomia e vendit duhet të ndryshojë sidomos pas bllokadës, e cila përkundër qëllimit të vendeve që e imponuan u kthye në një mundësi reale për zhvillimin e ekonomisë dhe industrisë vendase, në përputhje me vizionin kombëtar 2030 të Katarit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: