PRIZREN- Shqipëria dhe Kosova janë dakordësuar për një ofertë të përbashkët turistike. Ministrat e Mjedisit të dy vendeve kanë diskutuar për ndërtimin e strategjisë së përbashkët, e cila nis në sezonin e vjeshtës nga Kosova.

Ministri Klosi tha se palët do të punojnë në ndërtimin e një strategjie në mes dy vendeve në fushën e turizmit për të realizuar një ofertë të përbashkët përfshirë edhe vendet e Ballkanit.

Në këtë kuadër ministri Bajram Hasani tha se pritet që në fillim të vjeshtës në Brezovicë, apo Rugovë të bëhet hapja e sezonit turistik, për tërheqjen e sa më të madhe të turistëve nga vendi dhe rajoni.

“Ne jemi për bashkëpunim sidomos me shtetin shqiptar, sepse ka mundësi për fushën e bashkëpunimit edhe sa i përket turizmit. Biseduam që në fillim të sezonit së vjeshtës në Brezovicë, apo Rugovë të bëjmë hapjen e sezonit turistik dhe t’i japim një mesazh dhe t’i ftojmë të gjithë turistët të na vizitojnë dhe se ka shumë vend për të na vizituar edhe turistët nga shteti shqiptar”, tha ministri Hasani.

Në takimin e tyre ministrat ndanë edhe zhvillimet më të fundit të sezonit turistik në Shqipëri. Ministri Blendi Klosi u shpreh se është rritur me 17 përqind numri i turistëve këtë korrik krahasuar me vitin paraardhës, ku rritje ka patur edhe numri i pushuesve nga Kosova.

“Kemi një besnikëri të shkëlqyer të familjarëve për të vizituar bregdetin shqiptar dhe ata me këtë besnikëri kanë përzgjedhur sivjet bregdetin shqiptar. Në Shqipëri 600 mijë familjarësh kosovarë që kanë hyrë nga 1 janari deri më 1 korrik sikurse vitin e kaluar, pavarësisht kushteve atmosferike që kanë qenë shumë të këqija. Në Shqipëri ka një shtim prej 17 për qind nga viti i kaluar”, tha ai, duke shtuar se po punohet me problematikat e shfaqura gjatë këtij sezoni për të siguruar një mbarëvajtje më të mirë deri në fund të shtatorit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb