Panelistët e ftuar në studion e emisionit “Open” kanë diskutuar lidhur me sfidat e turizmit shqiptar gjatë këtij sezoni. Presidenti i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi tha se Shqipëria është e varur nga turizmi rajonal dhe kërkoi që infrastruktura rrugore të jetë prioritet i qeverisë sepse 2 orë vonesë në autostradë i largojnë sivllezërit kosovarë.

Duke iu përgjigjur pyetjes për ndikimin e luftës në Ukrainë në uljen e numrit të turistëve nga ky vend apo Rusia në bregdetin shqiptar, ai theksoi se ky grup turistësh përbën vetë 2% të tregut dhe pritet të mbushet nga pushuesit evropianë.

Ndërkohë, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro theksoi se Shqipëria ka marrë disa masa për mbajtjen pastër të mjedisit, por sipas saj ka një mungesë të theksuar kulture tek shqiptarët që zgjedhin të pastrojnë vetëm brenda dyerve të shtëpive të tyre.

Edhe gazetari Mentor Kikia e ka mbështetur deklaratën e ministres, duke treguar një episod që ka hasur personalisht në bregdetin e Tales, ku dhjetëra qytetarë pushonin mbi një pirg mbeturinash duke mos iu bërë përshtypje papastërtia.

DISKUTIMI:

Topuzi: Në fakt premisat janë për një turizëm më të mirë këtë vit. Ka një trend pozitiv, njerëzit janë të shkundur nga pandemia dhe ka një koncept të ri për jetën, që vjen edhe nga Amerika. Njerëzit po lëvizin. Shqipëria është diku 3% më pak turistë deri tani në krahasim me vitin 2019 që ishte vit më i mirë. Besoj se Shqipëria do ketë një numër të konsiderueshëm turistësh në muajt korrik dhe gusht.

Vasili: A do të ndikojë lufta në Ukrainë, a janë duke ardhur turistë rusë dhe ukrainas?

Kryesisht baza e turizmit shqiptar është rajoni dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Rajoni përbën 63% deri në 65% të turizmit dhe kjo ndihmon edhe turizmin gjithëvjetor kur nuk ka turistë të dedikuar. Ne kemi 2 deri në 2.5% të turistëve nga zonat rusisht-folëse por besoj se këto do të mbushen nga turistët europianë. Gjithashtu kemi edhe turistët e Lindjes, nga Dubai dhe Arabia. Në fakt turizmi shqiptar ka disa probleme. Ka problem të këtij sezoni por edhe të të ardhmes se çfarë turizmi do të ndërtojmë. Një ndër aktualet është ndotja se qeveria ka marrë masa por do shohim se çdo të ndodhë në praktikë. Se po flet kryeministri për turizëm elitar por që është e kot të flasësh në një ambient të papastër. Gjithashtu edhe derdhja e ujërave të ndotura. Problem tjetër është infrastruktura që duhet t’i përgjigjet këtij zhvillimi të vrullshëm të turizmit. Uji, energjia, flasim për një sërë problemesh. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm sidomos për turistët kosovarë se patriotizmi është i rëndësishëm por po ndejtën dy orë në autostradë atëherë s’vlen më. Këto janë turistë që funksionojnë kryesisht me fundjava që i nisin që ditën e enjte.

Kumbaro: Dua ta falënderoj zotin Topuzi se është shumë realist aty ku e vë gishtin. Kemi konstatuar të njëjtën gjë përderisa në 1 nëntor të vitit të kaluar kemi nisur planin e madhe për pastrimin kombëtar. Nuk mund të pretendojmë për turizëm cilësor kur nuk kemi një mjedis të pastër. Që nga 1 nëntori nuk është ndalur asnjë ditë puna në terren për pastrimin e territorit, sidomos në periferitë e qyteteve, brigjet e lumenjve, parqet kombëtare. Çdo ditë kemi sistem të raportimit çdo mëngjes se ku pastrohet dhe në darkë të monitorimit të parcelave ku janë pastruar. Është bërë një volum shumë i madh mbetjesh që janë pastruar por nuk mbaroka kjo gjë, se ka disa pika ku mbetjet janë që në ’90. Dhe e dyta kemi shumë të vështirë të heqim dorë nga zakoni që mendojmë se territori që duhet të mbajmë pastër është deri te dera e shtëpisë. Kemi një raport që na vjen nga padija sesi duhet t’i menaxhojmë mbetjet. Është bërë një përgatitje shumë rrënjësore e zonave të plazheve dhe bashkive ku e dimë që do të kemi pikun. Është një luftë kjo, me territorin, me vesin dhe me sjellën që e kam thënë se duhet ta nisim nga vetja. Na duhet një aleancë e madhe në këtë kontekst. Nisëm që nga 1 qershori heqjen e qeseve plastike njëpërdorimshme.

Vasili: Ose me qese pak më të trasha, se njësoj po përdorën ato ndaj unë nuk e kam kuptuar?

Kumbaro: E para nuk jepen falas dhe janë shumë përdorimesh.

Vasili: Edhe ato të parat nuk ishin falas…

Kikia: Ato bënë shumë mirë që u hoqën por besoj se vetëm 1% do ndryshojë nga heqja e tyre. Por unë po t’i nxjerr disa foto të bëra në një park vetëm 10 metër larg nga vija e ujit në ishull-Lezhë, por që e gjithë hapësira e plazhit ishte mizerje. Atje ka një hapësirë të madhe të plazhit publik, por njerëzit shkojnë hanë dhe i lënë mbeturinat aty. Gjeta njerëz aty ulur në mes të zhulit dhe ndjeva një rebelim. Megjithatë unë them se Shqipëria do bëhet e pastër duke menaxhuar mbetjet. Se pastruam në Orikum ne dhe kur bëmë kamionin e katërt e pyeta shoferin ku i hidhni ju mbetjet, e ai më tha në lum. S’kemi ne, gjithmonë atje i kemi hedhur. Pra ne i mbledhim, ai i hedh në lum dhe në dimër vijnë prapë në plazh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb