Ndërsa sezoni i ri i “Apartamentit 2XL” sapo ka nisur, stafi i spektaklit është gjendur në një situatë jo shumë të këndshme. Dy protagonistët e tij, Julian Deda dhe Albano Bogdo kanë pasur një përballje të fortë me njëri-tjetrin, në një sherr motivet e së cilit nuk i zbuluan. Grindja e tyre u përshkrua si tejet e fortë, madje gati-gati e dhunshme, por çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Përpos aludimeve të shumta në faqet e internetit, autori, regjisori i spektaklit dhe njëkohësisht menaxheri i aktorëve, Turjan Hyska ka sqaruar gjithçka për “VIP Pages” të “Gazeta Shqiptare”.

“Nuk e kuptoj pse kur shohin dy njerëz që flasin thonë ‘u bë sherr, u vranë, u dogjën, plumba’, gjëra pa lidhje”, thotë Turi, i cili ka çdramatizuar situatën dhe atë që ka ndodhur mes dy aktorëve. I pyetur mbi shkaqet që i kishte çuar në atë përballje dy miqtë Julian Deda dhe Albano Bogdo, Turi përgjigjet: “Ishte një muhabet personal dhe kaq, kaloi”.

Sipas regjisorit të “Apartamentit 2XL”, ajo që ka ndodhur mes dy aktorëve nuk do të ketë ndikim në spektakël. “Shfaqja vazhdon, do të jetë çdo javë si normalisht. Ne nuk jemi staf skandalesh, çdo gjë vazhdon në rregull”, – pohon Hyskaj. Ndodh rëndom në Shqipëri, që në prag të premierave të spektakleve televizive të ndodhin skandale që tërheqin vëmendjen e publikut. Por sipas Turian Hyskës ky nuk është rasti.

Edhe pse janë akuzuar se “sherri” mes dy aktorëve është thjesht i sajuar për marketing, regjisori përgjigjet: “Nuk jemi të dëshpëruar që të bëjmë në këtë mënyrë marketing. Nuk jemi keq për marketing, kemi mjaftueshëm. Ka qenë një konflikt, por kaq, shfaqja vazhdon, nuk ka thyerje zemrash”, – thotë ai. Por Turi duket se është “shpëtimtari” i situatës mes dy aktorëve. Të paktën kështu ka lënë të kuptohet vetë Albano, i cili i pyetur nga “VIP Pages” i “GSH” në lidhje me ngjarjen, ka refuzuar të japë ndonjë koment. Ndonëse nuk e ka mohuar grindjen, e mjaft i revoltuar, Albano thotë se përgjigjet për ngjarjen mund t’i jepte vetëm regjisori dhe menaxheri i tyre Turjan Hyska.

Lajmi për sherrin mes Julian Dedës dhe Albano Bogdos pushtoi vëmendjen e gjithë adhuruesve të spektaklit. Nuk dihet se cili ka qenë shkaku i kësaj përplasjeje të paprecedentë, por thuhet se dy aktorët kanë lëshuar edhe fjalët e fundit kundrejt njëri-tjetrit në një përplasje që ndoshta mund të kishte degjeneruar edhe në konflikt fizik. Situata dukej alarmante, kur incidenti raportohej vetëm një ditë përpara premierës së parë të “Apartamentit 2XL”, që ishte ditën e djeshme.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb