Futbolli nuk është një shkencë ekzakte, jo gjithnjë fiton ekipi favorit, kjo është një arsye e pastër pse është sporti më i dashur në botë. Asnjë ekip nuk fiton ende pa u futur në fushë, blofet janë njohur që nga koha kur u shpik ky sport, një histori e tillë e vështirë për tu besuar ndodhi gjatë mbrëmjes së mërkurës. Maqedonia e Veriut dhurojë një surprizë të madhe duke mposhtur Gjermaninë favorite absolute dhe këtë e bën në shtëpinë e katër herë kampionëve të botës. Goran Pandev me shokë arritën një rezultat historik, fitorja 1-2 po bën jehonë në të gjithë botën.

Në Duisburg, ekipi i Lev vinte pas dy fitoreve radhazi, katër golave të shënuar dhe asnjë i pësuar, në dukje gjithçka ishte rikthyer në normalitet por në fundin e pjesës së parë, Pandev i bën një surprizë të hidhur duke kaluar Maqedoninë e Veriut në avantazh. Me fillimin e pjesës së dytë, gjermanët reaguan duke fituar një 11-metërsh me Sane, nga pika e bardhë e penalltisë, Gundogan u tregua i saktë duke rikthyer baraspeshën. Atëherë kur të gjithë prisnin përmbysjen e rezultatit, Elif Elmas konvertoi në gol asistin e Ademit duke mposhtur Ter Stegen në minutën e 85-të. Shifrat nuk ndryshuan deri në fund me Maqedoninë e Veriut që merr vendin e dytë në Grupin J në kuotën e gjashtë pikëve po aq sa edhe Gjermania, ndërsa në mënyrë po kaq befasuese ky grup kryesohet nga Armenia me nëntë pikë të plota pas tre fitoreve radhazi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb