Në shënjestër nga Klodiana Lala, pjesa e dytë  e dokumentarit

Për psikologen, Denata Toçe, është e qartë se pavarësisht se agresorët nuk kanë marrë dënimin e merituar, ky nuk është problem në vetvete i ligjit. Por i moszbatueshmërisë së tij. Ndërkohë që statistikat e dhunës flasin për praninë e saj më së shumti në qytetet kryesore të vendit.

Ndërsa diçka më pak kryesisht në qytetet verilindore të vendit. Por këto statistika duhen marrë me rezerva. Duke ditur se në qytete të tilla kultura e denoncimit të dhunës është më e ulët se në qendrat urbane.

Ndërsa raportimi i dhunës dhe lëshimi i urdhrave të mbrojtjes ka qenë gjithmonӕ e më shumë në rritje deri në vitin 2020.

Denata Toçe- Psikologe

“Nuk është çështje ligji është çështje zbatueshmërie, është çështje ndëshkueshmërie në raport me ligjin. Ne i kemi të gjitha ligjet, të gjitha rregullat, ne nuk kemi një factor orientues dhe ne nuk kemi një hartë të qartë se si duhet të veprojë një grua, një familje,

një fëmijë apo edhe një burrë qoftë ky nëse është dhunuar nga gruaja, si do duhet të operojë që të mund të kërkojë të drejtën e tij”.

Gëzim Tushi-Sociolog

“Në kohën e sotshme më vjen mirë që duhet ta them që ka një ndryshim mbi konceptimin e dhunës mbi gratë. Nëqoftëse më përpara ka qenë një gjë e zakonshme. Në shoqërinë shqiptare ka patur një sintagmë : eh burri ky ëhstë, burri edhe të rreh

Në kohën e sotshme reagimi i grave ndaj dhunës është bërë më i madh, më i fortë. Ato nuk e pranojnë që rë jenë vetëm qënie riprodhuese, bashkëshortes dhe edukimit të fëmijëve, por kërrojnë që të jenë partnere e barabartë”.

Sipas psikologes Denata Toçe, e vetmja mundësi për ta shpëtuar shoqërinë nga dhuna kundrejt vajzave dhe grave, është edukimi. Dhe kur bëhet fjalë për edukim, jo vetëm të djemve që nesër do bëhen burra, por edhe të vajzave që nesër do bëhen bashkëshorte.

Të cilët intelektualisht duhet të jenë të aftë të përballojnë sfidat e familjes. Ndërkohë që statistikat flasin se gratë dhe vajzat në Shqipëri janë në nivel më të ulët arsimor se burrat.

Ku trendi i përgjithshëm përmbyset në favor të grave, vetëm përsa i përket studimeve universitare.

Ku në vitin 2020, gratë mbi moshën 25 vjeç, janë 54 përqind të arsimuara në nivelin fillor, tetë apo nëntëvjeçar. Ndërsa burrat, janë 56 përqind të arsimuar në nivel arsimi fillor, tetë apo nëntëvjeçar.

Po kështu edhe përsa i përket arsimit të mesëm, gratë mbi 25 vjeç janë më të diskriminuara në raport me burrat e kësaj grupmoshe. Ku rezulton se vetëm 27 përqind e grave mbi 25 vjeç, janë me arsim të mesëm, ndërsa burrat janë 40 përqind.

Denata Toçe- Psikologe

“Kur ka edukim, kur ka kultivim, kur ka emancipim mendoj që ti je në kërkim të diçkaje që është përtej, është më e madhe sesa ‘buka e gojës’ sesa plotësimi i nevojave bazë. Njeriu duhet të vetëaktualizohet, duhet të rritet, duhet të rritet personalisht, duhet të rritet emocionalisht, por duhet të rritet edhe intelektualisht”.

Gëzim Tushi-Sociolog

“Në të gjitha rastet dhuna dhe vëçanërisht në mënyrë ekstreme krimi mbi gratë për këto arsye nuk duhet  justifikuar. Mendoj se shoqëria shqiptare ka nëvojë për një bombardim kulturor sidomos meshkujt, unë  ekam thënë gjithmonë ne kemi nevojë të emancipojmë meshkujt, ne kmei mehskujt e prapambetur, sigurisht dhe femrat kanë mëkatet e tyre se nuk janë të shenjta, por ama ne kemi nevojë që mehskujt të kuptojnë dhe të gjejnë rrugët e duhura të zgjidhjes së konflikteve që lindin brenda martesës, apo në raportet burrë grua, femër mashkull”.

Por ndërkohë që familjarët e disa prej grave të vrara kërkojnë drejtësinë e munguar, jo më kot në fund të këtij dokumentari, kemi zgjedhur në heshtje, në shenjë homazhi, të listojmë disa prej vajzave, grave apo nënave që humbën jetën si pasojë e dhunës së shkaktuar nga meshkujt e familjeve të tyre.

Ata të cilët duhet të ishin të parët që duhet ti mbronin, por që u kthyen në vrasësit e tyre.

Një rekuiem për të gjithë këto gra, për ti thënë ndal dorës vrastare ndaj shumë vajzave dhe grave të tjera në të ardhmen…..

Një në tre gra, apo rreth 736 milionë në të gjithë botën kanë pësuar një formë dhune fizike dhe psikologjike. Sipas statistikave, çdo ditë 137 gra vriten në të gjithë botën nga një pjesëtar i familjes apo nga partneri i tyre.

Dhuna me bazë gjinore është një nga shkeljet më sistematike dhe të përhapura të të drejtave të njeriut, në kohën tonë. Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një të ardhmeje, ku të gjitha gratë dhe vajzat të jetojnë pa frikë nga dhuna. Le të solidarizohemi së bashku.

Ky dokumentar u realizua në kuadër të muajit kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Gratë dhe vajzat që janë vrarë

4 prill 2017, Durrës.

Ersid Curri, 23-vjeç, vrau me armë zjarri gjyshen Hyrme Curri dhe më pas edhe veten.

3 Maj 2017, Kurbin.

Ndoc Tota, 75 vjeç, qëlloi me levë hekuri në oborrin e shtëpisë , nusen e djalit Vera Tota.

8 maj 2017, Shkodër.

Beqir Xhilaj, 74 vjeç, vrau me armë gjahu gruan e tij Lumturie Xhilaj, 27 vjet më të vogël.

18 gusht 2017, Lushnje,

Tajar Kazanxhiu, 55 vjeç, vrau me sqepar në banesë gruan, Natasha Kazanxhiu.

20 gusht 2017, Kamëz.

Halil Lita, 65 vjeç, vrau me armë zjarri gruan, Dije Litën, dhe më pas edhe veten.

31 gusht 2017, Tiranë.

Fadil Kasemi, 53 vjeç, vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten, gjyqtaren e Shkodrës, Fildes Hafizi.

24 shtator 2017,  Pogradec.

Bashkim Mekolli, 49-vjeç vrau me mjete të forta sqepar dhe thikë gruan, Demirke Mekolli.

23 nëntor 2017, Kavajë. Sami Metushi, 50 vjeç, vrau me thikë bashkëshorten, Sose Metushi, për motive të dobëta.

21 Janar 2018, Tiranë.

Ariela Murati, studente e vitit të tretë në Fakultetin Juridik u qëllua për vdekje me 2 plumba në mes të rrugës nga Aldison Belulaj.

21 Janar 2018, Vlorë. Selkie Hoxhallari, 73 vjeç, u gjet e shkrumbuar në shtëpinë e saj. Krimi u tha se u krye nga nusja e djalit dhe i dashuri i saj.

7 Qershor 2018, Peshkopi.

Zeqimete Sela, 50 vjeçe, vritet në shtëpinë e saj nga djali.

 

10 Qershor 2018, Itali.

Anxhela Meçani, 20 vjeç, u hodh në rrugë nga një makinë në lëvizje. Humbi jetën disa ditë më pas në spital.

15 Korrik 2018, Shkodër. Vritet pranë fëmijës 1 vjeç, Silvana Ndoci vajza 25 vjeçare.

6 shkurt 2019, Vlorë.

Eva Lera, 45 vjeç, u qëllua me thikë nga bashkëshorti i saj, Teodor Lera, 52 vjeç, gjatë një konflikti.

14 shkurt 2019, Tiranë.

Lirie Xhepa, 49 vjeç, u gjet e masakruar  në kodrat e liqenit të Sharrës në kryeqytet. Autori rezultoi të ishte kunati i saj.

4 Mars 2019, Korçë. Nazime Demollari, 84-vjeç, nga Korça humbi jetën, pasi u dhunua nga djali i saj 64 vjeçar.

25 qershor 2019, Vlorë.

Laureta Sulo, 44 vjeçe, u qëllua nga bashkëshorti  Lavdosh Saro fillimisht me thikë dhe më pas me levë.

10 janar 2020, Tiranë.

Enkelejda Çapoku u masakrua në Paskuqan nga kunati i saj, Erdet Çapoku. Shkak u bë mosmarrëveshjet midis tyre.

2 shkurt 2020, Xhafzotaj Durrës.

Manjola Çuko, 33 vjeçe u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj, Lulzim Çuko. Shkak i këtij krimi të rëndë brenda familjes u bë xhelozia e vazhdueshme e bashkëshortit.

25 shkurt 2020 , Kodër Rrëshen Mirditë.

Esmeralda Filopati, 36 vjeçe u vra së bashku me vëllain e saj 34-vjeçar, pasi u qëlluan me breshëri automatiku  nga ish-bashkëshorti i së ndjerës. Fatmir Kolecaj ishte dënuar më parë me 15 muaj burg për dhunë në familje.

26 shkurt 2020, Durrës.

Hajdie Tosuni, 59 vjeçe u vra nga bashkëshorti i saj Ruzhdi Tosuni.

31 dhjetor 2020, Tiranë.

Dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani u vranë me breshëri kallashnikovi nga bashkëjetuesi i njërës prej tyre, Përparim Tela (Ademi).

7 shkurt 2021, Itali.

Luljeta Heshta, 47-vjeçarja,  u godit 5 herë me thikë nga një person në shtetin Italian.

8 shkurt 2021, Malësi e Madhe. Violeta Gurraj u gjet pajetë në banesën e saj në Malësi të madhe.

17 mars 2021, Fier.

Irvana Hyka, e cila ishte 6 javëshe shtatzënë, u godit për vdekje nga bashkëshorti i saj Demokrat Medinaj.

10 prill 2021, Kavajë.

Fëllënza Shirja u dogj e gjallë në makinë nga bashkëshorti i saj, për shkak të xhelozisë.

11 prill 2021, Maqellarë.

Naile Markja u ekzekutua me thikë nga nusja e saj 44-vjeçare Miranda Markja.

18 prill 2021, Itali.

Dorina Alla u dhunua për vdekje me çekiç nga bashkëshorti i saj Gëzim Alla.

6 maj 2021, Elbasan.

Liljana Buzo, 54 vjeçe u vra me 11 plumba nga ish- bashkëshorti i saj, Koço Buzo

7 qershor 2021, Librazhd.

Menderie Bici, u vra nga bashkëshorti i saj Qemal Bici me sëpatë.

5 korrik 2021 Fushë – Krujë.

Klarita Ismalaj, 45 vjeçe u vra nga bashkëshorti i saj 51- vjeçari, Artan Ismalaj

18 gusht 2021, Shkodër.

Sanije Bandulla, 83-vjeçe u gjet e vrarë në shtëpinë e saj. Ajo dhunohej vazhdimisht nga i shoqi.

10 shtator 2021, Fier.

Sabrina Bengaj, 23 vjeçe, nënë e një vajze u vra nga bashkëshorti i saj Elton Metaj.

8 shkurt 2022, Fier.

Valentina Mamaj u vra e goditur disa herë me thikë në zemër nga bashkëshorti i saj Petrit Mamaj.

12 prill 2022, Roskovec.

Merushe Hazizi, u vra nga vjehrri, Xhevahir Hoxha. 61-vjeçari masakroi me thikë bashkëjetuesen e djalit të tij dhe më pas, vari veten në një pemë afër banesës.

30 korrik 2022, Elbasan.

Jetlira Elezi u vra nga bashkëjetuesi i saj Ramizi gjatë natës në lagjen “Skënderbej” në Elbasan.

20 nëntor 2022, Itali.

Mynevere Karabollaj, 37 vjeçe, e njohur si “Vera” u vra nga ish-bashkëshorti në Itali

30 nëntor 2022, Kosovë.

Hamide Gashi u vra nga ish-bashkëshorti i saj Sokol Halili para oborrit të maternitetit të Prishtinë.

3 dhjetor 2022, Greqi.

Kristiana Brakaj u vra me armë zjarri në Greqi  nga Qamil Taja pas sherrit për motive xhelozie.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: