Turqia i kërkoi sot Bashkimit Europian të luajë një rol ndërmjetësues të drejtë dhe të ndershëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet në Mesdheun lindor me Greqinë dhe Qipron, në prag të një samiti europian që do të përqendrohet në sanksionet kundër Ankarasë.

“Bashkimi Europian duhet të luajë një rol ndërmjetsues të drejtë dhe të ndershëm”, deklaroi shefi i diplomacisë turke, Mevlut Cavusoglu, në një konferencë shtypi në Ankara me homologun hungarez, Peter Szijjarto.

Sanksionet kundër Ankarasë janë në axhendën e samitit europian të 10 dhjetorit, për shkak të punimeve eksploruese për gaz të ndërmarra nga Turqia në Mesdheun Lindor në zonat detare të diskutueshme me Greqinë dhe Qipron.

Bashkimi Europian dënoi vazhdimin e akteve të njëanshme dhe retorikën armiqësore nga ana e Turqisë.

Cavusoglu hodhi poshtë këto akuza, duke konfirmuar se Greqia ka refuzuar dialogun pavarësisht ndërprerjes nga Ankaraja të aktiviteteve eksploruese për gaz.

“Anija turke e kërkimit Oruç Reis përfundoi aktivitetin e saj më 29 nëntor. Por Greqia po gjen pretekste për të shmangur dialogun. BE duhet ta shohë këtë realitet”, deklaroi ai.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb