Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi sot një bisedë nëpërmjet video-konferencës me kancelaren gjermane, Angela Merkel ku diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale me interes për të dy vendet.

Presidenti Erdoğan theksoi rëndësinë e ruajtjes së komunikimeve të hapura dhe dialogut me kancelaren Merkel.

“Turqia po vazhdon të luftojë pandeminë e COVID-19, ndërsa ka nisur një normalizim të kontrolluar dhe gradual”, theksoi presidenti turk.

“Në këtë sfond, sezoni i turizmit duket se do të hapet në prill”, shtoi ai.

Turqia ka qenë ndër vendet e para në përdorimin e standardeve të certifikimit për objektet e udhëtimit dhe turizmit, me qëllim mundësimin e udhëtimeve të sigurta.

Erdoğan, gjithashtu, i bëri thirrje Bashkimit Europian të sigurojë mbështetje financiare dhe teknike për sirianët që duan të largohen vullnetarisht nga Turqia për t’u kthyer në shtëpi.

Turqia strehon, aktualisht, rreth katër milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend në botë.

Në lidhje me zhvillimet rajonale, ai vuri në dukje se Turqia ka ndjekur një qasje konstruktive në lidhje me problemet në Mesdheun Lindor dhe në Detin Egje.

Lideri turk shtoi se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb