Turqia zhvillon sot gjyqin më të madh në lidhje me tentativën për grusht shteti të një viti më parë. 500 vetë do të dalin përpara gjykatës në Ankara nën akuzën për komplot për rrëzimin e qeverise përmes grushtit të shtetit.

Sipas mediave turke, këta persona përballen me një sërë akuzash si vrasje, shkelje e kushtetutës dhe tentativë për të vrarë presidentin e Turqisë, Recep Taip Erdogan.

Mes të arrestuarve ka ushtarakë, biznesmenë, por edhe imamë. Sipas akuzës, tentativa e grushtit të shtetit është organizuar nga baza ajrore Akinci në verilindje të kryeqytetit, të cilën autoritetet e shikojnë si selinë e komplotuesve nga ku u dërguan urdhrat për të bombarduar parlamentin.

Pothuajse që të gjithë të akuzuarit ndodhen në burg, ndërsa shtatë të tjerë janë në kërkim. Një prej personave të akuzuar dhe që konsiderohet organizatori i grushtit të shtetit është kleriku mysliman Fethullah Gulen, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara.

Nga tentativa për grusht shteti e një viti më parë në Turqi humbën jetën 250 vetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb