*CASTET E SHPERTHIMIT, KUJDES IMAZHE TRONDITESE
TURQI- Një shpërthim i fuqishëm në sheshin qendror të kryeqytetit turk, Ankara, la pas vetes të paktën 34 të vrarë dhe shumë të plagosur.

Ministri turk i shëndetësisë, Mehmet Muezzinoglu, tha se 125 njerëz janë trajtuar në spitale të ndryshme në Ankara. Nëntëdhjetë prej tyre në gjendje të rëndë.


“Tridhjetë veta u vranë në vend, ndërsa katër të tjerë vdiqën në spital”, tha Muezzinoglu.

Zyrtarët thanë se shpërthimi ndodhi në sheshin Kizilay, një zonë tregtare dhe qendër transportesh afër ambasadave të huaja dhe ndërtesave qeveritare.

Kanali televiziv NTV, tha se një makinë që besohet të ketë qenë e mbushur me eksploziv, shpërtheu afër një autobusi. Disa makina u përfshinë nga zjarri dhe pamjet televizive tregojnë automjete të dëmtuara.

Zeri Amerikes thekson se, sulmi ndodhi dy ditë pasi që Shtetet e Bashkuara lëshuan një paralajmërim për një komplot të mundshëm për sulm në qendër të Ankarasë dhe kërkuan nga qytetarët amerikanë të shmangin zonën.

Shtetet e Bashkuara e dënuan sulmin ndërsa ritheksuan “partneritetin e fuqishëm me Turqinë, aleatin në NATO, në luftë kundër kërcënimeve të përbashkëta nga terrorizmi”.

Sulmi u dënua edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili theksoi se të gjithë anëtarët e NATO-s qëndrojnë përkrah Turqisë, të venddosur për të luftuar terrorizimin e të gjithë formave.

“Mëshirë nga Zoti për qytetarët të cilët kanë humbur jetën, ndërsa të plagosurve u urojmë shërim të shpejtë”, thuhet në komunikatë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, menjëherë pas lajmit të shpërthimit në Ankara, zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Brendshëm, Efkan Ala.

Nga ana tjetër, njoftohet se nën kryesimin e kryeministrit Ahmet Davutoglu, do të mblidhen ministrat përkatës dhe zyrtarët përgjegjës për sigurinë të cilët do të mbajnë mbledhje në lidhje me shpërthimin në Ankara.

Shpërthimi ndodhi më pak se një muaj pas sulmit me një makinë bombë në kryeqytet që la pas vetes 29 të vrarë.

Ankaraja është duke luftuar Partinë Punëtore Kurde të shpallur të jashtëligjshme, e cila për 30 vjet me radhë është duke udhëhequr një lufte guerile në përpjekje për të siguruar më shumë autonomi për kurdët në juglindje të Turqisë.

Turqia është vënë edhe në shënjestër të grupi Shteti Islamik, i cili u fajësua për një sulm vetëvrasës në muajin tetor gjatë një tubimi paqësor në Ankara, ku u vranë më shumë se 100 persona – që ishte sulmi më i përgjakshëm që kur Turqia u shndërrua në shtet modern në vitin 1923.

DHJETËRA TË ARRESTUAR PAS SULMIT NË ANKARA
Dhjetëra të dyshuar kanë përfunduar në pranga gjatë natës së kaluar dhe mëngjesin e sotëm si rrjedhojë e një operacioni antiterrorist të policisë turke, pas sulmit të mbrëmshëm terrorist në Ankara ku humbën jetën 37 persona, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency.

Operacionet në Stamboll dhe Ankara po kryhen nga policia speciale për luftën kundër terrorizmit. Aksioni po ndihmohet edhe nga helikopterë, ndërkohë që përveç arrestimeve janë bërë edhe shumë kontrolle.

Ministri turk i Shëndetësisë, Mehmet Muezzinoglu ka konfirmuar se sot në mëngjes numri i të vdekurve nga sulmi i mbrëmshëm është rritur në 37 persona. Sipas të dhënave të fundit, 120 persona janë plagosur. Edhe ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Efkan Ala ka dënuar ashpër sulmin.

“Sulmi terrorist është kryer me aktivizimin të një automobili-bombë në lëvizje e sipër në stacionin e autobusëve në lagjen Kizilay në Ankara. Objektiv i sulmit kanë qenë civilët të cilët kanë qenë duke pritur në stacion. Dënojmë ashpër këtë vepër makabër. Edhe një herë theksojmë se ata që janë pas këtij atentati nuk do të kenë sukses në qëllimet e tyre. Ky popull ka tejkaluar shumë probleme”, deklaroi Ala.
TURQIA NE ZI, VARRIMI I VIKTIMAVE
lotetturqve

Turqia në zi. Sulmi i djeshëm ka alarmuar mbarë vendin. Morti i 17 viktimave u zhvillua sot nën lotët dhe zemërimin e familjeve të viktimave. Varrimi i viktimave të tjera do të mbahet në orët në vijim. Mes të vrarëve është dhe babai i futbollisti të Galatasaray, Umut Bulut, Kemal Bulut. Ai po kthehej nga puna në momentin kur ndodhi shpërthimi. Si histori e tij janë dhe dhjetra të tjera. Qindra familje turke po përjetojnë këto sot tmerrin e humbjes së një të afërmi në sulmet e djeshme. Janë me dhjetra ata që janë shtruar në spital ku gjendja e 90 prej tyre paraqitet tepër e rëndë.
Dikush ishte duke pritur autobusin, dikush duke punuar në dyqanin aty pranë, dikush duke ecur me makinë në castin kur dy shpërthime të fuqishme ndodhën në Ankara. Më pas kaos, një autobus dhe disa makina të shkrumbuara, ndërkohë që sirenat e alarmit mbushën qytetin. Zile celularësh që binin dhe askush nuk përgjigjej nga ana tjetër e telefonit. “E dinim që ai punonte aty ndaj i ramë celularit, por askush nuk po e ngrinte. Më pas morëm qendrat shëndesore, spitalet me radhë derisa e gjetëm në gjendje kome pasi bomba i kishte prekur trurin”.

AUTORET DYSHOHEN DY
Policia sot shprehet se autorët ishin dy. Një grua e cila dyshohet se i është bashkuar grupit militant kurd në vitin 2013 dhe një burrë. Dora e të cilit shpërtheu bombën u gjet disa metra larg vendit të ngjarjes, si shkak i shpërthimit.

(d.b/el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: