Një gjykatë në Stamboll më 19 prill ka dënuar reperin turko-holandez Murda me katër vjet e 2 muaj burgim, pasi tekstet e këngëve të tij kanë “inkurajuar konsumimin e drogës”, tha avokati i tij për Dpa.

Megjithatë, vendimi i gjykatës nuk është final. Reperi 38-vjeçar, shtetas holandez, aktualisht gjendet në Holandë. Ai mohon akuzat tha avokati i tij, Ümit Gürkal Egemen, dhe shtoi se do të apelojë këtë vendim “të padrejtë”.

Murda, emri i vërtetë i të cilit është Mehmet Önder Doğan, kryesisht këndon në gjuhën turke dhe është mjaft i njohur në Turqi.

Murda ka vepruar “brenda normave të lirisë së shprehjes”, tha avokati Egemen, duke shtuar se akuzat i referohen tri këngëve të këtij këngëtari, njëra e titulluar “Eh Baba” që ka mbi 116 milionë shikime në YouTube. “E kam mbështjellë një cigare [me marihuanë], më trullosi”, thuhet në një prej teksteve të këngëve të tij.

Këngëtari ishte ndaluar për një kohë të shkurtër në tetorin e kaluar në Aeroportin Sabiha Gokcen të Stambollit, për shkak se me tekstet e këngëve të tij “promovon përdorimin e drogës”.

Turqia në vitet e fundit ka shënjestruar këngëtarët e muzikës rep, të cilët janë të njohur për deklaratat e tyre kritike për Qeverinë dhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Më 2018, reperi i njohur turk, Ezhel, u arrestua për shkak se tekstet e këngëve të tij promovonin përdorimin e drogës, por më pas ai u lirua nga akuzat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: