ANKARA-Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Turqi, Christian Berger, tha se BE-ja gjithmonë do të gjejë një mënyrë për të bashkëpunuar me vendin pavarësisht nga historia e marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Unionit.

Ambasadori Christian Berger foli gjithashtu për marrëveshjen e migrantëve Turqi-BE dhe paralajmëroi një numër takimesh të nivelit të lartë që do të realizohen përpara fundit të vitit. Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), ai tha: “Ne kemi pasur probleme politike në të kaluarën, ka pasur shumë batica dhe zbatica në historinë e marrëdhënieve BE-Turqi”. “Por, ne gjithmonë gjejmë një mënyrë për ta tejkaluar këtë dhe gjejmë mënyrë të përshtatshme për të komunikuar, duke bashkëpunuar për të mirën e Evropës dhe Turqisë”, shtoi ai.

Berger tha se një numër takimesh të nivelit të lartë mbi energjinë, transportin dhe çështjet ekonomike do të mbahen në fund të nëntorit dhe javën e parë të dhjetorit në Bruksel, fillimisht të planifikuar në një takim Turqi-BE më parë këtë vit. “Këtu në Ankara do të kemi një takim mbi antiterrorizmin dhe çështjet e përbashkëta të sigurisë. Kalendari nga tani deri në fund të vitit është mjaft i plotë”, theksoi Berger.

BE-ja dhe Turqia filluan negociatat e anëtarësimit në vitin 2005, por bisedimet pësuan ngërç për shkak të problemit të Qipros dhe kundërshtimit të disa qeverive të BE-së për anëtarësimin e plotë të Ankarasë. Marrëdhëniet e Ankarasë me disa vende anëtare të BE-së pësuan vështirësi të mëtejshme gjatë muajve të fundit, pasi liderët turq kritikuan homologët e tyre për mos shfaqjen e solidaritetit me Ankaranë pas përpjekjes për grusht shteti në korrik të vitit 2016 dhe ofrimin e mbështetjes për grupet armiqësore ndaj Turqisë.

Çështja e refugjatëve
Duke iu referuar marrëveshjes BE-Turqi që parashihte ofrimin e tre miliardë eurove për të mbështetur refugjatët që strehohen në Turqi, Berger tha: “Pasi të kemi shpenzuar shumën e parave, ne do të mendojmë për vazhdimin e saj”. Turqia aktualisht strehon numrin më të madh të refugjatëve sirianë në botë. Berger tha se BE-ja do të vlerësojë se sa para janë shpenzuar dhe çfarë nevojitet në të ardhmen. Duke theksuar se pjesa e parë prej tre miliardë eurosh është pranë plotësimit dhe duke aluduar në një shumë tjetër të ngjashme, Berger tha: “Ne do të kemi një takim në nëntor në Bruksel për të folur për implementimin e kësaj. Deri në fund të këtij viti, tre miliardat e para duhet të kompletohen plotësisht”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: