Qendra e përbashkët turko-ruse e monitorimit të marrëveshjes së armëpushimit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë është bërë funksionale sot në Malësinë e Karabakut.

E vendosur në fshatin Merzilli të rajonit Aghdam, qendra do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia, e cila u arrit në nëntor të vitit të kaluar pas luftimeve që zgjatën gjashtë javë.

Pas armëpushimit të 10 nëntorit, Turqia dhe Rusia nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të ngritur një qendër të përbashkët për të monitoruar marrëveshjen e paqes në territoret azerbajxhanase të çliruara nga pushtimi armen.

Ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit, Zakir Hasanov zv/ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yunus Emre Karaosmanoğlu dhe zv/ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Aleksandër Fomin, ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së qendrës, ku do të shërbejnë 60 forca turke dhe 60 ruse.

Duke theksuar rëndësinë e qendrës në monitorimin dhe zbatimin e marrëveshjes së paqes, Karaosmanoğlu vlerësoi përpjekjet e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit azerbajxhanas Ilham Aliyev për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon.

Fjalim mbajtën edhe zyrtarët azerbajxhanas dhe rus, të cilët uruan sukses për stafin e qendrës, duke shtuar se qendra do t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit në rajon.

Çlirimi i Malësisë së Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, që nga viti 1991 kanë qenë të tensionuara, pasi ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, i njohur ndërkombëtarisht si një territor azerbajxhanas.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit 44-ditor, Azerbajxhani çliroi disa qytete, si dhe rreth 300 vendbanime dhe fshatra nga pushtimi pothuajse 3-dekadësh i Armenisë.

Pavarësisht marrëveshjes që i dha fund konfliktit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit, ushtria armene disa herë shkeli marrëveshjen, martirizoi disa ushtarë azerbajxhanas dhe një civil, si dhe plagosi shumë të tjerë.

Armëpushimi konsiderohet si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të të cilës janë tërhequr në bazë të marrëveshjes.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb