Përshkallëzohet situata me refugjatët e bllokuar në pikat kufitare tokësore Greqi-Turqi. Sipas medias greke, të enjten në mesnatë, në mbledhjen e këshillit të Sigurisë së Lartë, pas humbjes së thellë të Turqisë në Idlib, Siri, presidenti Erdogan ka urdhëruar të lejohen refugjatët e bllokuar në vend drejt Perëndimit.

Turma të tëra refugjatësh nga Pakistani, Siria, Afganistani, Irani, janë drejtuar në zonat detare të afërta me Greqinë e pikat tokësore kufitare. Madje, në video që qarkullojnë në median greke, me qindra refugjatë drejtohen në autobusë me udhëzime të kryebashkiakëve të qyteteve të ndryshme të Turqisë, ku ishin vendosur deri tani, në pritje të një vendimi të ri të BE-së.

https://youtu.be/xNxaLBurNfA

Nga dita e premte e sidomos nata e sotme situata ka qenë tepër e ashpër në pikën kufitare tokësore Kastanies, në Evro të Greqisë. Rreth 3000 refugjatë, të të gjitha moshave, mes tyre dhe fëmijë, që kanë kaluar nga Adrianopolis drejt Kastanies janë bllokuar në zonën neutrale dje natën vonë. Përleshje të ashpra ka pasur gjatë natës, ndërsa refugjatët kanë qëlluar me gurë drejt policisë greke, janë përleshur trup më trup, ndërsa policia greke është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës e lëndë kimike.

Përveç policisë kufitare, operon dhe ushtria greke madje me forca të përforcuara, duke arritur të ndalojnë deri tani me dhunë hyrjen në territorin grek. Rreth 60 refugjatë janë arrestuar nga policia greke, siç bën të ditur media, bëhet fjalë për shtetas të Pakistanit, Afganistanit dhe Iranit. Kryeministri grek ka zhvilluar një mbledhje urgjente sot në orën lokale 09:00 me ministrat kryesorë të kabinetit qeveritar, ndërsa ka kontaktuar dhe me kryeministrin bullgar Borissov dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.

Paralelisht, të dendura janë dhe arritjet në ishujt e afërm me Turqinë, vetëm të premten në Lesbo dhe Chio kanë arritur 150 refugjatë. Segmenti i Adrianopolis drejt Evros mbetet i mbipopulluar nga refugjatët si dhe situata vijon të jetë mjaft e tensionuar në pikën kufitare të Evros. Greqia mund të mbyllë orët në vazhdim të gjitha pikat kufitare me Turqinë, ndërsa kryeministri grek ka deklaruar në “tëitter” se nuk është Greqia përgjegjëse për situatën në Siri dhe nuk mund të jetë një vend të paguajë pasojat e luftës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb