Turqia mirëpriti sot zhvillimet e fundit politike në Libi teksa vendi i Afrikës së Veriut zgjodhi presidentin dhe kryeministrin e përkohshëm për të qeverisur vendin deri në zgjedhjet libiane në dhjetor.

“Ne mirëpresim emërimin e presidentit, anëtarëve të Këshillit të Presidencës dhe kryeministrit të cilët do të shërbejnë deri në zgjedhjet e përgjithshme që janë planifikuar të mbahen më 24 dhjetor 2021 në Libi, si rezultat i zgjedhjeve të mbajtura në Forumin e Dialogut Politik Libian (LPDF)”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

“Shpresojmë që Qeveria e re e Unitetit Kombëtar të formohet dhe të marrë detyrën sa më shpejt të jetë e mundur në bazë të Udhërrëfyesit të miratuar nga LPDF”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Duke përsëritur mbështetjen e Turqisë për demokracinë, sigurinë dhe stabilitetin në Libi, nga ministria i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos tolerojë zhvillimet dhe aktorët që mund të prishin zgjidhjen politike në vend.

Më herët gjatë ditës, Mohammad Younes Menfi u zgjodh president i qeverisë së përkohshme të Libisë dhe Abdul Hamid Mohammed Dbeibah kryeministër, në Këshillin e Presidencës gjatë votimit në një vend të paemëruar në Zvicër, në afërsi të Gjenevës.

Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i Gaddafi-t në vitin 2011.

Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) me seli në kryeqytetin Tripoli dhe aktualisht e udhëhequr nga kryeministri Fayez al-Sarraj u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB.

Por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjatë kanë dështuar për shkak të ofensivës ushtarake nga milicët besnikë të komandantit libian Khalifa Haftar.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Al-Sarraj-it po lufton me milicët e Haftarit që nga prilli i vitit 2019 në një konflikt që ka marrë mijëra jetë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb