Turqia pritet t’i japë një “dritë jeshile” pranimit të Finlandës në NATO në ditët në vijim, sipas deklaratave të dy zyrtarëve turq për Reuters. Zyrtarët thanë se parlamenti i Turqisë pritet të ratifikojë anëtarësimin e Finlandës përpara se ai të shtyhet në mes të prillit për zgjedhjet e planifikuara për më 14 maj.

Këtë javë, presidenti finlandez pritet të vizitojë Turqinë, për të diskutuar me Recep Tayyip Erdogan rrugën e pranimit të vendit të tij në aleancën euroatlantike, njoftoi presidenca turke.

Sipas njoftimit, “marrëdhëniet dypalëshe dhe aplikimi i Finlandës për anëtarësim në NATO do të diskutohen në takimet që do të mbahen në Stamboll”.

Në të njëjtën kohë, Suedia po shpreh zhgënjim pasi procesi i saj i anëtarësimit duket se po vonohet. Dje, kryeministri suedez Ulf Kristerson njoftoi se Suedia pritet të përballet me një pritje të zgjatur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb