Autoritetet turke e kanë shkarkuar nga detyra guvernatorin e Bankës Qendrore të Turqisë, Murat Cetinkaya, për shkak të dallimeve në qëndrime me qeverinë sa i përket rënies së zhvillimit ekonomik, paqëndrueshmërisë së valutës kombëtare dhe shkallës së lartë të inflacionit.

Cetinkaya, i cili ka shërbyer në këtë pozitë që nga prilli i vitit 2016, u shkarkua nga detyra dhe në vend të tij u zgjodh zëvendësi i tij, Murat Uysal. Ky ndryshim tashmë është publikuar në gazetën zyrtare dhe është vendosur me dekret presidencial.

Asnjë arsye zyrtare nuk është dhënë për shkarkimin e tij, por është spekuluar se Cetingaya është shkarkuar për shkak të ngurrimit të tij për ta zvogëluar shkallën e interesit bankar.

Banka Qendrore edhe në të kaluarën është përballur me presion nga presidenti turk, Rexhep Erdogan, për ta ulur shkallën e interesit në mënyrë që të nxitet zhvillimi ekonomik pasi Turqia rrëshqiti në recesion më herët gjatë këtij viti.

Erdogani, dhëndri i të cilit është ministër i financave dhe thesarit, vazhdimisht e ka kritikuar Bankën Qendrore për shkallë të lartë të interesit. Një burim tha se shkarkimin e Cetinkayas e kanë kërkuar presidenti dhe ministri i financave, shkruan “Reuters”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb