Sipas burimeve diplomatike, Turqia ka thirrur ambasadorin suedez në Ankara, Staffan Herrstrom, për të dënuar fuqishëm takimet e fundit midis zyrtarëve të nivelit të lartë të Suedisë dhe terroristëve.

Burimet që kërkuan të mos emërohen për shkak të kufizimeve për të folur për media, njoftuan se Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë thirri ambasadorin Herrstrom dhe dënoi një video-konferencë midis ministrit suedez të Mbrojtjes, Peter Hultqvist dhe njërit nga krerët e grupit terrorist YPG/PKK, Ferhat Abdi Şahin, si dhe takimin midis ministres suedeze të Punëve të Jashtme, Ann Linde dhe terroristit Şahin.

Sipas burimeve, zyrtarët e ministrisë turke informuan ambasadorin suedez për shqetësimin e Turqisë pasi Suedia ka rritur kontaktet e saj me grupin terrorist, duke theksuar se figurat me të cilat Hultqvist dhe Linde zhvilluan bisedime janë anëtarë të PKK-së së listuar si një organizatë terroriste nga BE-ja.

Ambasadorit Herrstrom iu tha se politika e rrezikshme e Suedisë jo vetëm që mbështesin figurat që synuan sigurinë e Turqisë dhe integritetin territorial të Sirisë, por po ashtu edhe shkelin në mënyrë të hapur ligjin ndërkombëtar dhe shkaktuan dëme serioze në lidhje Turqi-Suedi.

Gjatë takimit, shtuan burimet, Ankaraja u kërkoi autoriteteve suedeze të mos mbështesin organizatat terroriste dhe në vend të kësaj të përpiqen për unitetin, integritetin territorial dhe stabilitetin e qëndrueshëm të Sirisë.

Turqia po ashtu përcolli se do të vazhdojë të luftojë me vendosmëri kundër PKK-së, pavarësisht mbështetësve që e mbështesin atë.

Kjo lëvizje vjen pasi Hultqvist foli me kreun e YPG-së, Şahin, grup që po ashtu përdor shkurtesën SDF, si dhe shprehu mbështetjen e tij për grupin terrorist.

Pamjet e takimit u publikuan në faqet e internetit të njohura për lidhjen e tyre me organizatën terroriste.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb