Forcat e armatosura turke vazhdojnë të ofrojnë trajnime kundër terrorizmit për Forcat e armatosura libiane, bëri të ditur  Ministria turke e Mbrojtjes.

“Si pjesë e marrëveshjes së trajnimit ushtarak, ndihmës dhe këshillimit, ne vazhdojmë të sigurojmë trajnim për Forcat e armatosura libiane. Personeli ynë po u siguron ‘Trajnim bazik kundër terrorizmit’ ushtarëve libianë në Komandën e Qendrës së Përbashkët të Trajnimit Detar në Homs”, tha ministria në Twitter.

Më 27 nëntor të vitit 2019, Ankaraja dhe Tripoli nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi: një mbi bashkëpunimin ushtarak dhe tjetrin mbi kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Vendi i Afrikës Veriore është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011.

Kujtojmë se grupet politike rivale të Libisë u dakorduan të formojnë qeveri të përkohshme të unitetit pas bisedimeve në Forumin e Dialogut Politik Libian (LPDF) të udhëhequr nga OKB në Zvicër.

Mohammad Younes Menfi u zgjodh kreu i Këshillit të Presidencës prej tre anëtarësh, me Mossa Al-Koni dhe Abdullah Hussein Al-Lafi si dy anëtarët e tjerë të tij. Abdul Hamid Dbeibeh u zgjodh kryeministër.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb