Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan njoftoi sot vendosjen e një bllokimi 17-ditor, duke filluar nga e enjtja në mbrëmje, në të gjithë Turqinë, për të frenuar përhapjen e epidemisë së koronavirusit të ri pas një shpërthimi në numrin e rasteve ditore.

“Ne duhet të zvogëlojmë sa më shpejt numrin e rasteve në më pak se 5 000 në ditë, në mënyrë që të mos mbetemi prapa në krahasim me Europën, që po hyn në një periudhë rihapjeje”, tha kreu i shtetit turk.

Turqia regjistroi më shumë se 37 000 raste të reja COVID-19 dhe 353 vdekje të lidhura me të në 24 orët e fundit, pas një kulmi prej më shumë se 60 000 rastesh në ditë që nga fillimi i prillit.

Të gjithë dyqanet dhe bizneset që konsiderohen jothelbësore do të mbyllen gjatë periudhës së bllokimit, që mbulon festën treditore myslimane, që shënon fundin e muajit të agjërimit të Ramazanit.

Me përjashtim të rasteve urgjente, udhëtimi midis provincave do të ndalohet.

Turqia tashmë kishte forcuar kufizimet që synonin ndalimin e përhapjes së virusit më 13 prill, ditën e parë të Ramazanit.

Bllokimi i ri do të fillojë më 29 prill në mbrëmje dhe do të mbetet në fuqi deri më 17 maj në mëngjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: