Turtle fest rikthehet me të njëjtën energji, me mijëra turiste pjesëmarrës nga e gjithë bota, disa herë më i konsoliduar, me më shumë eksperiencë në edicionin e tij te 8-ë. 3 netë spektakël në natyrë me performancën e mbi 45 DJ-e të njohur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Europa mblodhën bashkë të rinj nga gjithë bota, që shijojnë jo vetëm muzikën, por edhe bukuritë e jashtëzakonshme të jugut, sic është plazhi i Drimadhes.

“Turtle fest” nisi para 8 vitesh, si një iniciativë tepër modeste e turtle camp, që është një nga kampingjet e para në zonë. Nisi si një takim mes miqsh, DJ dhe dashamirësish të muzikës dhe sot pas 8 vitesh jemi krenarë që mund të themi që ka marrë një përmasë deri diku industriale si prodhim dhe tashmë është jo vetëm një festival, por një platformë që ka shumë komponentë. Ne mundohemi që përmes turtle fest të krijojmë një aktivitet rinor, të komunikojmë mesazhe, shije dhe të promovojmë një nga bukuritë e plazhit të jugut, si drimadhes”, tha Rubin Beqo, organizator i Turtle Fest.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për ministrin Klosi, i cili ndoqi ditën e dytë të festivalit, ku sipas organizatorëve kishte një pjesëmarrje prej 2 mijë të rinjsh, në vetëm 1 natë, ky nuk është vetëm një event muzikor, por një praktikë pune e konsoliduar, që prodhon të ardhura jo vetëm për organizatorët, por edhe për njerëzit e komunitetit, për ata që shërbejnë në këtë festival.

“Bashkë me zëvendës ministren, prefektin e qarkut Vlorë dhe stafin tim jemi këtu për të shkëmbyer ide sesi ky event mund të bëhet më mirë vitin e ardhshëm, që Shqipëria të paraqitet si një destinacion i vërtetë europian për turizmin. Por që të jetë i tillë nuk mund të bëhet pa të rinjtë dhe pa ata që në kohën e sotme janë ambasadorët më të mirë.

Ndaj na del detyrë të organizojmë festivale disa herë më të mëdha në Shqipëri, për të krijuar destinacione të reja. Na duhet të kuptojmë që po hyjmë në një treg të ri, që ka rregullat e tij dhe që konkurrenca po shtohet”, tha ministri Klosi, i cili kujtoi se dikur Turtle Fest ishte i vetmi dhe të gjithë vinin për të parë dhe dëgjuar dicka ndryshe.

“Tani në Shqipëri, të paktën gjatë këtij sezoni ne kemi organizuar 5 festivale rinore ndërkombëtare. Ndaj na del detyrë të mendojmë për orientimin dhe hartimin e politikave që evente të tilla t’i shndërrojnë në evente shumë më shume ndërkombëtare dhe çfarë duhet të bëjmë ne nëpërmjet institucioneve që menaxhojnë turizmin në Shqipëri që t’ju ndihmojnë në promovimin ndërkombëtar të festivalit për ta kthyer në traditë dhe në buxhet për të sjellë në Shqipëri artistë të nivelit ndërkombëtar.

Kur bëhen festivale të tilla është e vështirë të ndash nëse të rinjtë janë nga Shqipëria, nga Kosova apo të huaj, evente të tilla na bëjne një dhe sa më shumë të kemi organizime si këto, aq më i lehtë do të jetë eliminimi i barrierave që Shqipëria të promovohet si destinacion turistik i qëndrueshëm në rajon dhe përtej tij”, tha ministri Klosi.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb