Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk përpara Tiranës pati një ndalesë në Shkup, ku pati zhvilloi të veçanta me presidentin dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut. Zoti Tusk tha se ky vend ka bërë gjithçka dhe se e meriton datën për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

“Tani është radha e BE-së”, u shpreh zyrtari i lartë evropian gjatë një konference shtypi me kryeministrin Zoran Zaev. Ai tha më tej se “është e qartë si kristali se nuk ka dilema në Bruksel mbi përkushtimin politik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut”.

Zoti Tusk shprehu bindjen se edhe zbatimi i reformave do të zërë vend, ndërsa vuri theksin tek nevoja e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, ndërkaq theksoi bindjen se vendi i tij pas një muaji do të marrë datën për fillimin e bisedimeve dhe se nuk do të ketë më zvarritje lidhur me këtë. Ai tha se janë arritur mjaft reforma si në aspektin e marrëdhënieve me vendet fqinje, po ashtu edhe në transformimin e përgjithshëm demokratik të vendit.

Maqedonia e Veriut që nga dhjetori i vitit 2005 ka marrë statusin “vend kandidat” për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por mosmarrëveshjet deri para një viti me Greqinë fqinje rreth emrit Maqedoni si dhe problemet e brendëshme politike, e mungesa e reformave kanë ngadalësuar përparimin e këtij vendi ballkanik drejt rrugës për në BE. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb