Nga: Ornela Manjani*

TIRANE- Qeveria shqiptare do të japë me koncesion për 10 vjet administrimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Do të zgjidhet me tender ndërkombëtar një kompani private, e cila do të ndërtojë një sistem elektronik për t’u mundësuar Tatimeve të grumbullojnë informacion mbi shitjet dhe blerjet në kohë reale. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili bëri të ditur se koncesionari do të investojë 9.5 milionë euro për ngritjen e sistemit. Dhënia me koncesion e administrimit të TVSH-së do të jepet me koncesion me formulën Partneritet-Publik Privat. Ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë si të papranueshëm vendimin, jo vetëm për faktin se koncesionet e dhëna deri tani kanë rezultuar si një barrë shtesë për bizneset dhe konsumatorin, por edhe për faktin se qeveria nuk mund të zhvishet nga ky atribut, pasi mbledhja e taksave është një nga funksionet bazë. Të kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, Zef Preçi dhe Nikolin Jaka shprehen kundër këtij vendimi.
Nikolin Jaka
Kreu i Dhomës së Tre-gtisë, Nikolin Jaka është kundër vendimit për të dhënë me koncesion administrimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. “Jemi kundër. Nuk kam shumë informacion, duhet të ketë më shumë informacion për të argumentuar mendimin kundër. Këto vendime duan debat dhe nuk mund të merren në këtë mënyrë. Duhet të dimë sa % nuk mblidhet TVSH-ja dhe sa % më shumë do të mbledhë kompania private. TVSH-ja është taksa që ka administrim më të lartë. Nisur nga fakti që të gjitha koncesionet që janë dhënë deri tani, sidomos ato të shërbimeve publike, nuk bëjnë asgjë tjetër vetëm sa kanë rritur kostot për biznesin, edhe ky vendim do të ketë të njëjtin efekt. Dhënia me koncesion e administrimit të TVSH-së evidenton paaftësinë e administrimit nga qeveria dhe dërgimin e fondeve publike te kompanitë private. Po t’u referohemi rasteve të shërbimeve publike të dhëna me koncesion deri tani, ato kanë qenë të dështuara. Një nga rastet më flagrante është “Rapiscan-i”, i cili ka sjellë shumë probleme për biznesin”, – tha Nikolin Jaka.
Zef Preçi
Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi jep një sërë argumentesh kundër vendimit për të dhënë me koncesion administrimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Madje Preçi mendon se vendimi mund të jetë pjesë e lobeve të biznesit dhe atyre politike. “Është në praktikën e qeverive të ndryshme që shërbimet apo veprimtari të ndryshme t’i kontraktojë me operatorë privatë. Në rastin konkret, për shkak të dështimeve të njohura të pothuajse gjithë koncesioneve të dhëna që nga viti 1992 për shkak të dobësive të theksuara të institucioneve mbikëqyrëse dhe për shkak të kostos së lartë të ofruar nga koncesionarët, për shkak të faktit që grumbullimi i taksave është shërbimi bazë i çdo shteti modern, jam skeptik. Problemet e vërteta të sistemit të administrimit fiskal kanë të bëjnë me mungesën e kapaciteteve njerëzore, me trafikun e influencës së biznesit dhe lobeve politike që prodhojnë evazion. Infrastruktura teknike nuk po shfrytëzohet siç duhet. Ka dhe një problem tjetër për këtë rast, pasi do të përdoren para buxhetore dhe ofrohen të dhëna apriori fiktive për rritje e mbledhjes së taksave. Opinioni është i paqartë në lidhje me vendimin. Duhet që fillimisht të bëhet publik studimi mbi bazën e të cilit është marrë vendimi. Mendoj se qeveria nuk duhet të heqë dorë nga përmbushja e detyrave të saj. Është një nxitim për të deleguar te privatët shërbime të rëndësishme bazë të shtetit. Mendoj se më e rëndësishme sesa t’i kalojë shërbimet e shtetit te privatët që gëzojnë mbështetjen e qeverisë, duhet të rrisë kapacitetet, të ulë ndikimin e oligarkisë mbi administrimin fiskale dhe të ndalojë super-deputetët të emërojnë drejtorë. Nuk është në dobi të ekonomisë vazhdimi i eksperimenteve me ta. Të mos harrojmë që taksat në tërësi pasqyrojë mentalitetin e qytetarëve dhe bizneseve dhe kapacitetet administrative të shtetit. Qeveria është e mandatuar për t’i përmbushur këto detyrime dhe jo për t’i shitur ato. Qeveria ka mandatin 4 vjet dhe çdo koncesion përtej kësaj periudhe është komprometim i ardhshëm dhe rrezikon të shndërrohet në një gur në qafën e taksapaguesve. Mund të studiojë dhe të mos veprojë pa analizuar koston, përfitimet dhe dobinë publike. Duhet bërë dallimi mes koncesionit dhe tenderimit. Koncepti bazë i koncesionit ka të bëjë me investimet e parave në ato fusha dhe sektorë në të cilët qeveria nuk i disponon këto para. Çdo shërbim që bazohet me paratë e shtetit quhet tender”, – thotë Preçi.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: