Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Ndonëse biznesi vendas e mbështet politikën e partneritetit publik- privat për rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, dhënia me koncesion nga ana e ministrisë së Financave, e sistemit të mbledhjes së të ardhurave ka qenë e papritur. Për presidentin e Biznes Albania, Luan Bregasi, delegimi i shërbimit tek privati sjell më shumë siguri, përgjegjësi dhe investime. Por ajo që biznesi kërkon nga dikasteri i financave është që i gjithë ky operacion i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për të ardhurat e shtetit, të bëhet transparent. Sipas tij eksperienca e disa koncesioneve në Shqipëri nuk ka qenë pozitive, siç është rasti i skanimit në dogana, ndaj edhe apelon që më parë se të nis ky shërbim nga kompania private, qeveria t’i bëjë të qarta disa kushte.

“Së pari duhet që operatori privat të rris performancën në mbledhjen e të ardhurave. Pra pretendimet duhet të jenë më të mëdha me parimin rritja e të ardhurave në buxhet. Së dyti mendoj që kompania private që do ta marri këtë shërbim duhet të japi garanci absolute, të forta qenë rast se nuk e realizon objektivin që ka parashikuar qeveria, koncesionari duhet të paguaj shtetit dëmet që mund ti shkaktojë nga një performancë e dobët. Sepse këtu në Shqipëri ka ndodhur që disa koncesione, siç është ai i skanimit, shteti i kompenson kompanisë private paratë që ai nuk ka mundësi ti përfitojë nga performanca e vetë. Nuk duhet të dali më shteti garant i këtyre kompanive por duhet të jenë ato që ta garantojnë qeverinë që nëse nuk realizojnë objektivat që parashikon marrëveshja duhet të përgjigjet me financat e veta.”- deklaroi Luan Bregasi.

Sipërmarrësit vendas kërkojnë gjithashtu që ky koncesion të mos ketë kosto të reja shtesë për biznesin. Ndërsa një tjetër kusht sipas kreut të BiznesAlbania është rritja e investimeve nga koncesionari me qëllim përmirësimin e skemës së administrimit të taksave. Më të shqetësuar mbi delegimin tek privati të shërbimit të administrimit të taksave janë ekspertët. Sipas Agim Binaj kjo tregon se qeveria ka dështuar në këtë drejtim dhe duhet ta pranojë publikisht.

“Qeveria, Ministria e Financave, Drejtoria e Tatimeve duhet ta deklarojë hapur që ka dështuar në administrimin e taksave dhe tani gjen rrugë të reja për ta bërë këtë Kjo është dhe ta themi publikisht. Qeveria duhet të mbledhë një tryezë me specialistët, ekspertët e it, operatorët e tregut të kasave fiskale dhe ti jepte zgjidhje këtij problem dhe unë them që zgjidhje mund të kishte. Sot Shqipëria e ka atë eksperiencë që mund ti japë zgjidhje situatës si me këtë sistem duke shtuar module të reja , për administrimin e TVSH. Mosrealizimi i të ardhurave është problem madhor. Nëse do të masës eficencën e një qeverie është mbledhje e taksave, sepse pa taksa s’ke buxhet, investime. Nëse nuk është e aftë atëherë duhet ta dorëzojë qeverisjen.”- deklaroi Binaj.

Binaj ngre pyetjen se çdo të ndodhë me sistemin aktual të taksave mbi të cilin është punuar tre vjet dhe ka kushtuar jo pak por 12 milionë euro? Sipas ekspertëve sistemi ka problemet e veta por jo të pariparueshme dhe këtë mund ta bënte shumë mirë vetë shteti. Duke treguar përvojën e keqe që vendi ynë pati me kompaninë ceke CEZ, profesor Binaj shpreh skepticizmin edhe për dhënien me koncesion të sistemit të taksave. Sipas tij këto shërbime janë monopol i shtetit dhe shteti i ka të gjitha mundësitë për të realizuar një mirëadministrim.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: