Policia ka ndaluar sot ish-drejtorin e Spitalit Rajonal të Beratit, Idlir Frashëri në kuadër të një procedimi penal të vitit 2018 me akuzën për “Shpërdorim të detyrës në bashkëpunim” dhe “Falsifikim i dokumenteve i kryer në bashkëpunim”.

Frashëri, ish-drejtor i LSI-së dhe juristi Alfred Lulaj akuzohen se kanë blerë mallra mjekësore, antibiotikë në kundërshtimi me ligjin dhe më pas për të justifikuar veprimtarinë e paligjshme kanë futur në dosjet e blerjeve një kërkesë gjoja sikur mjekët e spitalit kërkonin ilaçe.

Por kjo nuk është hera e parë që Idlir Frashëri përballet me drejtësinë. Në 6 qershor të vitit të kaluar Policia e Shtetit nisi procedimin dhe referoi materialet në Prokurori për akuza të tjera ndaj Frashërit, atë kohë drejtor i Spitalit Rajonal Berat bashkë me deputetin e LSI-së Gledion Rehovica. Të dy mohuan akuzat.
Frashëri tha se nuk i komentonte akuzat pasi nuk i kishte mësuar ato zyrtarisht, ndërsa deputeti Rehovica i cilësoi akuzat si “shpifje për të prishur imazhin e LSI-së”, dhe tha se ishte i hapur “për çdo lloj hetimi institucional”.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit në atë kohë thuhej:
“Departamenti për hetimin e krimit të organizuar dhe krimet e rënda.
Drejtoria për hetimin e Krimit Ekonomik Financiar
Sektori për hetimin e korrupsionit
Policia e Shtetit
Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.
Sot më datë 05.06.2017, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mbi bazën e një denoncimi, filloi procedimin penal për shtetasin I.F, pasi:
Ky duke qenë në funksion publik të Drejtorit Rajonal të Spitalit Berat, në bashkëpunim me disa punonjës të këtij spitali dhe deputetin e zonës G.R., kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktive në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”, vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal.
Materialet procedurale i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, për veprën penale të ‘Korrupsionit aktivë në zgjedhje’ dhe ‘Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore’ vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal”.

Pra ishte Prokuroria e Përgjithshme që mori në dorë hetimet në atë kohë. Por ndonëse çështja bëri bujë dhe pati edhe reagime nga politika, zhurma ishte shuar deri mbrëmjen e sotme kur u komunikua dhe arrestimi i tij për një tjetër akuzë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb