Ministrja gjermane e Familjes, Franziska Giffey e quajti debatin rreth doktoratës së saj si arsyen e vendimit që mori. “Në ditët e fundit ka pasur sërish diskutime në lidhje me disertacionin tim të vitit 2010,” shpjegoi 43-vjeçarja. Freie Universität Berlin (Universiteti i Lirë i Berlinit) i kishte dhënë asaj mundësinë për t’u pozicionuar deri në fillim të qershorit, ofertë të cilën ajo dëshiron ta shfrytëzojë.

Giffey vazhdoi: “Por anëtarët e qeverisë federale, partia ime dhe publiku kanë të drejtë që tani të kenë qartësi dhe garanci. Prandaj, vendosa që t’i kërkoj Kancelares federale, që nëpërmjet Presidentit federal të më lirojë nga post im si Ministre Federale për Familjen, të Moshuarit, Gratë dhe Rininë. ”

Megjithë këtë vendimi, ajo ende i përmbahet deklaratës së saj se e shkroi disertacionin e saj me aq sa diti dhe gjykoi. “Më vjen keq, po të më kenë shpëtuar gabime.

Nëse Freie Universität, në rishikimin e tretë prej tij të punimit tim, arrin në përfundimin të ma heqë titullin, unë do ta pranoj këtë vendim. Që sot po nxjerr përfundime nga procedura që vazhdon dhe që më rëndon. Me këtë e mbaj fjalën”.

Giffey i përmbahet kandidaturës në Berlin

Ajo vazhdon të kandidojë si kandidatja kryesore e SPD për Dhomën e Deputetëve të Berlinit, theksoi Giffey. Tani ajo dëshiron të përqendrohet në këtë çështje.
Në shkurt të vitit 2019 u bë e ditur se disertacioni po verifikohej nga universiteti për shkak të dyshimit të plagjiaturës. Ky verifikim përfundoi në tetor 2019 me një qortim. Në nëntor 2020, Giffey njoftoi se nuk do ta mbante më titullin e doktorit dhe më 18 nëntor 2020, Universiteti i Lirë i Berlinit filloi një verifikim tjetër të punimit. Kjo tani ka përfunduar. Revista “Focus” tani informon se Universiteti i Lirë i Berlinit është gati t’ia heqë titullin e doktorit Franziska Giffey-t.

Giffey kishte dorëzuar një dizertacion në Universitetin e Lirë të Berlinit në vitin 2009 me titullin “Rruga e Evropës drejt qytetarit – Politika e Komisionit Evropian për pjesëmarrjen e shoqërisë civile”. Provimi u zhvillua në vitin 2010. Platforma e Internetit Vroni-Plag e kontrolloi punimin e doktoratës për plagjiaturë dhe arriti në përfundimin se “pjesë të marra me fjalë apo si përmbajtje nga punime të tjera nuk janë shënuar si të tilla” dhe e akuzoi autoren për plagjiaturë.

Franziska Giffey është Ministre Federale për Çështjet e Familjes që nga Marsi 2018. Që nga nëntori i vitit 2020 ajo ka qenë kryetare e SPD Berlin dhe kandidatja kryesore e socialdemokratëve për postin e Kryetarit të Qeverisë së Berlinit/ DW

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb