Një zyrtar i lartë i Egjiptit mohoi se ushtria egjiptiane po planifikonte të prodhonte 40,000 raketa për Rusinë. Kjo ven pas publikimit të artikullit nga The Washington Post, ku ka cituar një dokument të zbuluar të inteligjencës amerikane.

Një dokument i zbuluar i inteligjencës amerikane i marrë nga The Washington Post thoshte se presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi udhëzoi zyrtarët që të mbanin sekret prodhimin dhe dërgesën “për të shmangur problemet me Perëndimin”.

Dokumenti “tepër sekret” i shkurtit përmban biseda të supozuara midis Sisit dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë egjiptianë, sipas gazetës. Ai iu referua planeve për të furnizuar Rusinë me artileri dhe barut, ku Sisi u kërkoi zyrtarëve t’i mbanin të fshehta planet, raportoi The Washington Post.

Zyrtari egjiptian i paidentifikuar e quajti raportin “absurditet informativ” dhe tha se Egjipti ndjek një “politikë të ekuilibruar” me të gjitha palët ndërkombëtare. Deklarata u transmetua gjithashtu nga disa media të tjera të lajmeve të lidhura me shtetin egjiptian.

Egjipti është një nga përfituesit kryesorë në botë të ndihmës ushtarake amerikane, duke marrë 1.3 miliardë dollarë financime ushtarake në vit.

Zëdhënësi i Kremlinit rus Dmitry Peskov e quajti informacionin një “mashtrim”. “Duket si një mashtrim tjetër, nga të cilat ka shumë tani. Kështu duhet t’i trajtoni botime të tilla,” tha Peskov duke iu përgjigjur akuzave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb