Gjykata e Apelit të Tiranës ka liruar sot nga burgu Gjergj Cukalin, i arrestuar pak muaj më parë, pasi dyshohet se ishte vrasësi me pagesë i ish-policit Arben Bilali. Cukali u arrestua katër muaj më parë, pas ngjarjes që ngriti në këmbë policinë. Në atë kohë, policia bëri një deklaratë të bujshme për arrestimin e këtij personi.

Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Cukalin, për akuzën e vrasjes me paramendim. Por, kjo masë është ndryshuar nga Apeli, i cili nuk i ka konsideruar të mjaftueshme provat, duke caktuar ndaj tij masën e detyrimin të paraqitjes.

Me lirimin e Gjergj Cukalit, i vetmi që mbetet në burg për vrasjen e ish-policit Bilali është Arben Xhetani, një ish i dënuar për vjedhje, i cili dyshohet se ka siguruar mjetet për të kryer vrasjen mafioze, si dhe ka vëzhguar lëvizjet e viktimës. Ish-polici Arben Bilali u ekzekutua me breshëri plumbash në derën e shtëpisë, ndërsa ka dyshime që ngjarja të jetë bërë për hakmarrje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb