Ministria teknike e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina ka kallëzuar në Prokurori kreun e Drejtorisë Arsimore Rajonale në Has si dhe 3 zyrtarë të tjerë pasi janë angazhuar në fushatën zgjedhore.

Sipas njoftimit zyrtar, “Ministria e Arsimit dhe Sportit, mbi bazën e informacioneve të mbledhura ka evidentuar sërish raste të pjesëmarrjes të punonjësve në pozicione drejtuese të cilët në kundërshtim me ligjin, janë angazhuar në aktivitete të fushatës zgjedhore në kundërshtim më përcaktimet ligjore”.

“Në përputhje me procedurat, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka depozituar sot me datë 07.06.2017, pranë organit të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Kukës përcjelljen informacion mbi angazhimin në fushatë zgjedhore të Përgjegjësit të Zyrës Arsimore Has, z. Selman Qema në kundërshtim me ligjin duke përfshirë edhe punonjësit në varësi të tij, personel të zyrës arsimore:
Specialisti i Burimeve Njerëzore, z. Erlis Dibra,
Specialisti i Kurrikulës z. Jetmir Qaushi,
Drejtori i Shkollës 9-vjeçare Zahrishtë z. Veli Ibraj.
Informacioni është përcjellë për dijeni edhe Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë”.

Ministria e Arsimit dhe Sportit konfirmon gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me organet kompetente duke vlerësuar çdo provë të depozituar të përfshirjes së paligjshme të administratës shtetërore në fushatën zgjedhore në sigurimin e një procesi zgjedhor duke zbatuar detyrimet ligjore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb