Ministrja teknike e Arsimit, Mirela Karabina ishte e pranishme në një seminar në Kosovë. Por pas seminarit, i cili u zhvillua në qytetin e Gjakovës, ministrja Karabina u ka kërkuar llogari autoriteteve atje, se përse nuk u akomodua në hotel me 5 yje.

Por Nuhi Gashi, organizator i aktvitetit, i është përgjigjur flakë për flakë ministres shqiptare. Ai i shkruan ministres se iu desh të qetësonte mësuesit që kishin pritur mbi 30 minuta për mbërritjen e saj në aktivitet. Sipas tij, pritshmëritë didaktike të aktivitetit ishin plotësuar më së miri dhe përgjigjia për letrën ishte e vonuar për shkak se ai kishte qenë shume i zënë me organizimin e seminarit.

LETRA E PLOTE 
“E nderuar zonja Gjishti!

Fillimisht uroj të jeni mirë dhe më ndjeni që nuk arrita me kohë të jep sqarime lidhur me çështje konkrete që ngre letra Juaj. Kisha skajshmërisht shumë punë rreth seminarit dhe nuk më mbetej kohë për postën.

Por, një imejl i përsëritur, i ardhur si Cc edhe në adresën time, më obligon që aktualisht në shenjë respekti, mirësjellje e kontributi eventual për kompletimin e të dhënave në kontekst të letrës Suaj, deri në leximin e kujdesshëm të raporteve/pyetësorëve e vetëvlerësimeve (anonime)  të mësueseve e të mësuesve, t’Ju sqaroj si më poshtë:

–  Pothuaj se për shumicën e zërave/njësive  të seminarit, të cilat ju i afishoni në letrën Tuaj, shpresoj se do të kemi  vlerësimin e sqarimet e nevojshme nga personat përgjegjës të logjistikës së Seminarit (akomodimi, sallat, pajisjet, ushqimi, higjiena etj;) dhe mbase e mira e kësaj pune është se ata (të të dy ministrive homologe) ishin aty, i dinë këto punë shumë më mirë se unë (unë personalisht dhe shumica e mësueseve, duke punuar në shtetet e demokracive më të zhvilluara, kanë marrë shumëçka nga një kod tjetër i sjelljes, ku  titullari i shtetit /i çdo niveli/ duhet të gjendet në sallë edhe para kohës së shpallur) dhe i posedonin edhe dokumentet/marrëveshjet e arritura paraprakisht (shkurt 2017) me hotelin;

– Shikuar nga perspektiva ime,   fillimisht si autor  e më vonë bashkautor  i konceptit të zhvilluar më tej të  kësaj ngjarjeje,   përtej subjektivizmit   e sentimenteve të mia me të (seminarin),  aq sa arrita të  qëmtoj vlerësimet e mësuesve e të mësueseve,  e them me plot kompetencë profesionale e kënaqësi  se në veçanti në rrafshin e formatit didaktik më janë realizuar pritjet;

–  Në raport me gjuhën mjaft ‘agresive’  të letrës Suaj, më duhet t’Ju sqaroj se, ndër të tjera,  nuk e pata të lehtë ta ‘qeveris’ apo ta zbus zemërimin e mësuesve për  vonesën deri në 30 minuta  të fillimit të punimeve të seminarit dhe heqjen nga agjenda të komunikimit të hapur (debatit), të planifikuar ditën e parë në linjën: mësuesit/et- ministrat  respektivë të tri ministrive;

– Puna e hetimit/auditimit  edhe buxhetor/financiar  për mua është një normalitet/rutinë,  që ka ndodhur dhe duhet të ndodhë edhe me këtë rast, prandaj më keni të hapur me të gjitha letrat e të dhënat që posedoj;

– Një raport integral  e me kompetencë të plotë (nga ana ime) do ta bëj ditët në vazhdim, natyrisht mbështetur, fillimisht, në (vetë)vlerësimet/gjykimet  e mësuesve, sepse seminari u dedikohet atyre dhe mund të mbijetojë  vetëm  nëse u përshtatet interesave e nevojave të tyre (bile në këtë rrafsh, ua bëj me dije  të gjithë subjekteve se edhe më tutje bazën e buxhetit të seminarit e përbën investimi personal i mësuesit/es  në para, kohë, durim e guxim profesional, angazhim e përkushtim patriotik etj., që thënë shkurt mund të emërtohet si ndërgjegje kulturore)

Me respekt,
Nuhi Gashi”

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: