TIRANE – Mosbindja ndaj urdhrit të policisë dhe arratisja nga komisariati Nr.3 në 2015-ën, do t’i kushtojë reperit Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, vetëm 18 muaj shërbim prove.

Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e kishte dënuar Stresin me 2 muaj burg, për mosbindje ndaj urdhrit të policisë. Sipas vendimit të Apelit, këngëtari do ta shlyejë dënimin me 18 muaj shërbim prove.

Gjykata e Shkallës së Parë kërkoi 3 muaj burg për këngëtarin Stresi, por nga gjykimi i shkurtuar ai duhet të kryente vetëm dy muaj heqje lirie. Por Sresi është gjykuar ne gjendje te lire dhe për pasojë nuk qëndroi asnjë ditë në qeli.

Ndërkohë prokuroria kishte kërkuar që këngëtari të dënohej me 5 muaj burg, për drejtim të automjetit pa patentë dhe 1 muaj për mosbindje të urdhrit të policisë.

ARRATISJA
Në shkurt të 2015-ës policia shpalli në kërkim Arkimed Lushajn, pasi u arratis nga ambientet e komisariatit, duke u hedhur nga kati i dytë, ndërsa ishte shoqëruar nga patrullat e policisë së komisariatit nr.3, i dyshuar si autor i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Nga verifikimet rezultoi se Lushaj, u hodh nga kati i dytë dhe më pas kaloi në oborr dhe pasi kaloi në derën e oborrit të komisariatit u largua në drejtim të paditur.

Reperi, i njohur për problemet dhe përplasjen e tij me policinë, ka qenë në cilësinë e personit të shoqëruar ndaj të cilit po kryheshin verifikime, pasi ai ishte identifikuar si shkelës i rregullave të qarkullimit dhe ishte marrë nga patrullat e policisë së këtij komisariati. Në kohën që po bëheshin verifikimet ndaj tij nga specialistët e policisë kriminale dhe të rendit në katin e dytë të komisariatit ai ka mundur të përfitojë dhe të largohet.

Në nëntor 2012, “Stresi” u arrestua për armëmbajtje pa leje
Këngëtari Stresi u arrestua nga Komisariati i Policisë nr.1 pasi ishte kapur me armë pa leje. Në orën 3 të mëngjesit 1 nëntorit, Arkimend Lushaj i njohur si Stresi, kthehej nga festimet e Halloëeenit në gjendje të dehur dhe nuk ka pranuar që policia të kryejë një kontroll fizik rutinë të tij. Në ato momente ai ka nisur të debatojë dhe të konfliktohet me policinë. Pas përplasjes verbale efektivët policisë e kanë arritur të ushtrojnë kontroll fizik mbi Stresin dhe i kanë gjetur në trup një armë zjarri të tipit pistoletë që e posedonte pa leje. Në momentin që policët i kanë gjetur armën, kundërshtimet e Arkimendit kanë qenë edhe më të ashpra, aq sa ka arritur në një përplasje fizike me forcat blu. Gjatë përplasjes fizike ai ka tentuar që të arratiset, gjë e cila ka sjellë edhe një incident të rëndë me një nga efektivët e policisë. Në tentativë për të shmangur arratisjen e këngëtarit, efektivit të policisë iu shkrep aksidentalisht arma e shërbimit dhe u vetëplagos. Stresi u arrestua në ambientet e komisariatit numër 1 në Tiranë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb