Ekspertë të pavarur të të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara i kërkuan të premten qeverisë bjelloruse të lirojë anëtaren kryesore të opozitës Maria Kolesnikova, duke thënë se ajo përballet me një burgim pesë vjeçar pasi u akuzua për cënimin e sigurisë kombëtare.

Muzikantja dhe aktivistja politike u burgos kohët e fundit mes protestave të vazhdueshme masive kundër presidentit autoritar të vendit, Alexander Lukashenko, i cili u rizgjodh më 9 gusht në votime që kundërshtarët pretendojnë se ishin të manipuluara. Ekspertët e të drejtave thonë se zonja Kolesnikova u “rrëmbye nga rrugët” e Minskut, më 7 shtator, u kërcënua me vdekje ose dëbim dhe u burgos në mënyrë të fshehtë.

Deklarata e OKB-së vë në dukje se pas tre ditësh pa asnjë informacion mbi vendndodhjen e saj, autoritetet njoftuan se zonja Kolesnikova ishte në paraburgim. Aty thuhet se më 16 shtator, ajo u akuzua zyrtarisht.

“Është veçanërisht shqetësuese që autoritetet kanë përdorur zhdukjen me forcë në një përpjekje për të shuar protestat dhe mospajtimin dhe për të mbjellë frikë,” thanë ekspertët e OKB-së, duke shtuar, “Ne i nxisim autoritetet të mos përdorin shqetësime të sigurisë kombëtare për t’u mohuar individëve të drejtat e tyre themelore, ndër të tjera, të drejtat për mendim, shprehje, apo tubim dhe bashkim paqësor”.

Ekspertët e të drejtave gjithashtu thanë në deklaratën e tyre se kërkojnë që autoritetet të sjellin para drejtësisë personat që janë përgjegjës për zhdukjen e saj. Ekspertët vërejnë se ajo kishte bërë fushatë për kandidaten e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila iku me fëmijët e saj në Lituani për arsye sigurie.

Kolesnikova është një nga anëtaret kryesore të një këshilli të ngritur nga opozita për të nxitur zgjedhje të reja. Një aktiviste tjetër, Olga Kovalkova, tha se autoritetet e detyruan të largohej nga vendi dhe se ajo u la në kufirin polak.

Presidenti Lukashenko thotë se ai i fitoi zgjedhjet e 9 gushtit me një epërsi të madhe. Ai filloi mandatin e tij të gjashtë të mërkurën, pas një ceremonie inaugurimi të mbajtur në fshehtësi. Presidenti, i cili ka drejtuar Bjellorusinë për 26 vjet, thotë se protestuesit po mbështeten nga fuqitë e huaja.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb